Filharmonia e Kosovës shënoi një moment historik me prezantimin e saj të parë në Varshavë. Orkestra Harkore, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, performoi në Sallën e Madhe të Koncerteve të Universitetit të Muzikës ‘Fryderyk Chopin’, duke sjellë një program që ndërthur krijimtarinë bashkëkohore vendore me repertorin e muzikës polake.
Në njoftimin e publikuar nga Filharmonia e Kosovës bëhet e ditur se ky koncert u realizua në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Poloni dhe Universitetin e Muzikës ‘Fryderyk Chopin’, në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.


Programi përfshiu vepra të Mendi Mengjiqit, Drinor Zymberit, Henryk Góreckit dhe Valton Beqirit, me interpretime të sopranos Adelina Paloja dhe pianistit Andi Duraku, duke u pritur me duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm.
“Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, senatorë, deputetë, drejtues universitetesh dhe personalitete nga jeta muzikore në Poloni, mes tyre Dominika Penderecka, senatorët Agnieszka Kowalska, Janusz Gromek, Gabriela Morawska-Stanecka dhe Ewa Kaliszuk, deputetët Agnieszka Pomaska dhe Tomasz Głogowski, si dhe rektorët e Universiteti i Varshavës dhe Universiteti Vistula, e dirigjenti Wojciech Semerau-Siemianowski dhe pianisti i njohur polak Paweł Kowalski.” theksohet në njoftim.














