Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.
“Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.” thuhet në njoftimin e AME-së.
Në këtë njoftim, AME-ja u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pasi reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona. Disa rrugë mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, gjendja sipas rajoneve është kjo:
• Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore; situata mbetet e menaxhueshme.
• Prizren: Gjatë natës janë raportuar shumë pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike.
• Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar disa familje përkohësisht si masë sigurie.
• Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; në komunat tjera gjendja stabile.
• Gjakovë & Gjilan: Situatë e qetë dhe nën kontroll; rënie e nivelit të ujit në lumenj.








