Policia është vënë në kërkim intensiv të personit që sulmoi sonte gjinekologun Afrim Veliu, ngjarje kjo që ndodhi në rrugën Henry Dynant në lagjen Ulpiana të Prishtinës.
Burime të Sinjalit brenda prokurorisë që tashmë është vënë në lëvizje, bëjnë të ditur se tashmë është siguruar një përshkrim i saktë fizik i sulmuesit, janë identifikuar dëshmitarët okularë dhe është në proces verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë që mbulojnë vendin e ngjarjes dhe zonat përreth.
Ngjarja ka ndodhur më 20 maj 2025, rreth orës 21:25, kur mjeku ishte sulmuar në mënyrë të befasishme në rrugë, duke pësuar plagë në kokë. Mjeku ka kërkuar ndihmë me urgjencë, ndërsa është dërguar për trajtim dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë, thonë burimet.
Burime kanë thënë gjithashtu se policia ka nisur analizimin e të gjitha kamerave të sigurisë që mund të kenë regjistruar momentin e sulmit apo lëvizjet e të dyshuarit përpara dhe pas ngjarjes.












