Krenare Hoti
Artriti reumatoid është shumë i rëndësishëm për shkak të ndikimit të tij të mundshëm afatgjatë në cilësinë e jetës dhe shëndetin e përgjithshëm. Për shkak të kësaj rëndësie, Familja Jonë ka intervistuar Dr. Jehona Ismaili Kadriaj, Interniste dhe Reumatologe për të mësuar më shumë rreth kësaj sëmundjeje. Ajo ka treguar se cilat janë llojet e Artritit Reumatid, simptomat, diagnostikimi e shumë detaje tjera.
Intervistën e plotë e gjeni më poshtë.
1. Çfarë është artriti reumatoid dhe si ndryshon nga llojet e tjera të artritit?
Artriti reumatoid është një sëmundje inflamatore me etiologji të panjohur, që prek 0.5-1% të popullatës, me një prevalencë tri herë më të madhe te femrat krahasuar me meshkujt. Kjo sëmundje prek zakonisht moshat nga 25 deri në 45 vjeç. Në raste më të rralla (rreth 1/3 e rasteve), ajo prek edhe moshat më të shtyra, mbi 60 vjeç. Kjo formë quhet artrit reumatoid me fillim të vonshëm ose LORA (“Late Onset of Rheumatoid Arthritis”). Raporti femra-meshkuj për këtë sëmundje është 4:1.
Artriti reumatoid nuk është i lehtë për t’u dalluar nga format e tjera të artriteve, pasi shumë prej tyre mund të imitojnë klinikën e artritit reumatoid. Falë profesionistëve shëndetësorë të fushës së reumatologjisë, ekzaminimeve përkatëse laboratorike dhe imazherike, si dhe kritereve të përcaktuara nga ACR-EULAR, mund të diagnostikojmë me saktësi pacientët tanë.
2. Cilat janë simptomat e hershme të artritit reumatoid?
Artriti reumatoid kryesisht shfaqet si dhimbje në duar, veçanërisht në shuplaka, e shoqëruar me mpirje dhe ënjtje. Këto simptoma zakonisht shfaqen në mënyrë simetrike në të dyja duart, duke u theksuar më shumë në mëngjes dhe duke zgjatur mbi 60 minuta. Zakonisht, pas fillimit të aktivitetit fizik, dhimbjet qetësohen. Kjo është një veçori dalluese e artritit reumatoid që e diferencon nga format e tjera, si p.sh. osteoartriti, ku dhimbja përkeqësohet gjatë aktivitetit fizik.
Gjithashtu, duhet marrë parasysh se artriti reumatoid mund të shfaqet edhe në mënyra jo tipike, duke filluar me dhimbje në nyje të mëdha, si gjunjë, bërryla ose supe. Këto forma nuk përfshihen në kriteret diagnostike të ACR-EULAR dhe mund të jenë shkak për vonesa në diagnozë. Artriti reumatoid prek edhe shputat e këmbëve. Sipas literaturës, ndryshimet në shputa, në formën e dhimbjes dhe ënjtjes, mund të paraprijnë ndryshimet në duar.
3. Pse është i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i artritit reumatoid për menaxhimin efektiv të sëmundjes?
Artriti reumatoid është sëmundje serioze me shumë komplikime jo vetëm lokale, por edhe sistemike. Kjo sëmundje ka shkallë të lartë invaliditeti në mbarë botën dhe është shkak që qindra mijëra njerëz në mbarë botën, madje edhe në vende shumë të zhvilluara, humbin aftësinë për punë. Tek ne, falë punës serioze të specialistëve të mjekësisë familjare, të cilët bëjnë një vlerësim të mirëfilltë të gjendjes së pacientit dhe triazhimit të saktë drejt reumatologut, arrijmë që me kohë të bëjmë diagnostikimin e pacientëve me artrit reumatoid. Vitet e fundit, mendoj se dukshëm është ulur numri i pacientëve që vijnë në vizitë atëherë kur artriti reumatoid ka arritur shkallë të rëndë të destruksioneve kockore. Diagnostikimi i hershëm i sëmundjes dhe trajtimi adekuat janë hallkë e rëndësishme drejt ruajtjes së cilësisë së jetës së pacientit dhe ruajtjes së aftësisë për punë.
4. Cilat janë pasojat e vonesës në diagnostikim dhe trajtim të artritit reumatoid?
Siç i ceka më lart, artriti reumatoid është sëmundje me shumë komplikime. Shpeshherë, përkundër diagnostikimit dhe trajtimit me kohë, sëmundja merr drejtim shumë agresiv, duke dhënë komplikime të shumëta që bëjnë që të sëmurët të humbin kualitetin e jetës dhe aftësinë për punë, të pensionohen para moshës përkatëse. Të gjitha këto kanë kosto të lartë individuale dhe shoqërore. Një i sëmurë me artrit të pamjekuar mund të përfundojë “i lidhur për karrocë”; kjo nënkupton rëndësinë e diagnostikimit të drejtë të sëmundjes.
5. Si ndikon trajtimi i hershëm në parandalimin e dëmtimeve të përhershme të nyjeve te pacientët me artrit reumatoid?
Barnat modifikuese të sëmundjes (DMARDs) sintetikë janë barna të pranishme në treg, të aprovuara nga Shoqatat si FDA, të dëshmuara në efektin e tyre terapeutik. Këto barna pengojnë gërmimin e kockave, lehtësojnë inflamacionin-ndezjen dhe ulin enjtjen. Duke u ulur inflamacioni, lirohen lëvizjet e pacientit dhe ruhet funksioni i nyjeve. Kortikosteroidet janë linjë e parë për të ulur shkallën e inflamacionit dhe janë treguar mjaft efikase. Gjithmonë, dhënia e këtyre barnave bëhet me kujdes sipas protokollit, duke minimizuar efektet anësore.
6. Cilat janë metodat dhe testet diagnostike të përdorura për të identifikuar artritin reumatoid në fazat e hershme?
Rëndësi të madhe në diagnostikim ka anamneza e pacientit lidhur me dhimbjen, mënyrën se si fillon dhimbja, kohëzgjatjen, simetricitetin. Diagnostikimi bëhet në bazë të kriterëve klinikë ACR-EULAR. Në këta kritere përfshihen testet reumatike: faktori reumatoid (FR), antitrupat peptidikë anticitrulinikë – anti-CCP. Tek pacientët, të dy këta parametra mund të jenë pozitivë, mund të jetë njëri pozitiv dhe tjetri negativ, po ashtu dy parametrat mund të jenë negativë. Këto raste quhen forma seronegative dhe shpesh paraqesin vështirësi në diagnostikim. Sipas literaturës, mendohet se format seronegative janë më pak agresive, mirëpo në fakt, në praktikën klinike shpesh edhe këto forma janë treguar shumë agresive, andaj duhet të jemi të vëmendshëm gjatë ekzaminimit dhe diagnostikimit të këtyre pacientëve. Imazheria ka rëndësi të madhe në diagnostikim, duke filluar nga ekzaminimi radiologjik, më pas eko e nyjeve dhe CT, ku vërehen ndryshimet në trajtë të ngushtimeve në hapësirat ndërnyjore, erozionet, sinoviti.
7. Si mund të ndihmojnë teknologjitë e reja dhe përparimet në imazherinë mjekësore në diagnostikimin e hershëm të artritit reumatoid?
Në diagnostikimin e sëmundjeve reumatike, imazheria si e vetme nuk është “gjithçka”, por ndihmon dhe plotëson kriterët diagnostikë të nevojshëm. Rentgeni i shuplakave dhe shputave na shërben për të vënë re ngushtimet dhe erozionet kockore, të cilat bëhen të dukshme dy vite pas shfaqjes së artritit reumatoid. Kështu që me metodat e reja imazherike si rezonanca magnetike, por edhe ultratingulli i shuplakave, këto ndryshime vihen re shumë më herët, andaj diagnostikimi dhe fillimi i trajtimit mund të bëhet pa humbur kohë.
8. Cilat janë përfitimet afatgjata të fillimit të hershëm të terapisë biologjike dhe modifikuese të sëmundjes për pacientët me AR?
Siç i përmenda edhe më lartë, diagnostikimi i hershëm i artritit reumatoid, që përcillet nga trajtimi i hershëm, ndihmon në uljen e shkallës së komplikimeve të sëmundjes që çojnë drejt invaliditetit. Përpos DMARDs sintetikë, DMARDs biologjikë kanë shënuar një etapë të re në trajtimin e sëmundjeve inflamatore autoimune. Këto substanca biologjike janë terapi target, të cilat indikohen atëherë kur DMARDs sintetikë nuk janë efikas, apo kur pacienti shfaq intolerancë ndaj tyre. Për efektet afatgjata të terapisë biologjike nuk mund të flasim ende, duke ditur se është terapi e 10 vjeçarit të fundit, por pasi ne disponojmë me këto barna njësoj si shtetet e tjera fqinjë, kemi të kyçur numër të konsiderueshëm të pacientëve, të cilët me terapi bazë nuk kanë pasur kurrfarë përmirësimi, dhe kyçja e terapisë biologjike “ka ndryshuar jetën e tyre”, duke u mundësuar të jetojnë me më pak dhimbje, të lëvizin dhe funksionojnë më lirshëm, duke kryer aktivitetet e përditshme jetësore, bazike dhe profesionale.













