Shemsi Veseli, drejtor i Klinikës së Biokimisë Mjekësore, njoftoi sot se për 24 orë rreth 600 pacientë kryejnë shërbime në Klinikën e Biokimisë. Ai bëri me dije se këto janë raste ambulatore dhe të klinikave.
Në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” ai tha se Klinika e Biokimisë “është e vetmja klinikë që nuk kemi listë të pritjes. Nganjëherë është e stërngarkuar për arsye se i kemi rastet ambulantore. Në Klinikën e Biokimisë brenda 24 orëve 600 pacientë kryejnë shërbime. Bëhen 6 000-7 000 analiza brenda 24 orëve”, tregoi Veseli.
Ai njoftoi se më e zakonshmja është analiza e gjëndrës tiroide: “Nëse jo çdo pacient, çdo i dyti, i treti pacient kërkon t’i kryejë këto analiza, por edhe tumor markerët janë të kërkuar, sidomos nga Instituti i Onkologjisë. Po ashtu, ka raste kur vijnë e kërkojnë të dinë a është i prekur nga kanceri apo jo”.
Ndër të tjera, ai bëri me dije se Klinika e Biokimisë është në shërbim të të gjitha klinikave të tjera. “Këtu bëhet një punë e madhe përpos për pacientët e hospitalizuar, kemi edhe raste ambulantore, vizita sistematike sidomos ta Policia e Kosovës, sepse është obligim institucional që çdo tri vjet t’i kryejnë analizat”, shtoi ai.
Kurse sa i përket stafit superior, mjekëve, specialistëve të biokimisë klinike, ai tha se është numër i mjaftueshëm, ndërkaq sa i përket stafit të laboratorit ende ka nevojë për staf, për arsye se kanë vizion të shtojnë gamën e shërbimeve dhe të standardeve ndërkombëtare./RTK/