Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Byreçka Shtëpie – Nga duart e amviseve shqiptare

Lagjet e Shqipërisë kanë një gjë të përbashkët: byrektoret.

Secili prej jush mund të betohet që byrektorja e lagjes së vet është më e mira, por kur vjen puna tek byreçkat, fitorja i shkon amvisave duararta që i gatuajnë byreçkat në shtëpi e me shumë dashuri.

Byreçkat nuk janë kurrë të mërzitshme. Ato konsumohen në mëngjes ose në vaktet mes mëngjesit dhe drekës.

Byreçkat janë të larmishme sepse mund të mbushen me perime, kërpudha, gjizë, djathë, mish të grirë, qepë e domate, spinaq apo presh.

Më poshtë do të gjeni recetën e një prej lexueseve të AgroWeb.org për gatimin e byreçkave.

Për mbushjen AgroWeb.org sugjeron më poshtë dy receta me mbushje spinaqi dhe qepë me domate.

Përbërësit për 10 byreçka

  • Gjysmë kg miell të bardhë
  • Gjysmë luge gjelle me kripë
  • Një filxhan çaji ose më shumë për përgatitjen e brumit
  • Dy lugë vaj luledielli

Mbushja nr 1

  • 1 kilogram spinaq
  • 2 kokrra qepë të njoma
  • 2 kokrra vezë
  • Pak djathë

Mbushja nr 2

  • 4 kokrra qepë
  • 4 kokrra domate
  • Kripë dhe piper

Përgatitja

Ndizeni furrën në 190 gradë C

Merrni një tas dhe përzieni miellin dhe kripën.

Hidheni ujin ngadalë dhe punojeni brumin me duar.

Sasia e ujit varet nga brumi ndaj mund ta rregulloni masën ndërkohë që punoni brumin.

Shtoni vajin dhe punojeni sërish me duar.

Lëreni brumin të vijë për 10-15 minuta duke e mbuluar me një pecetë të pastër.

Në një tas tjetër përgatisni mbushjen e përzgjedhur duke i përzier të gjithë përbërësit e sugjeruar më lart.

Pasi të ketë ardhur brumi, bëni kuleçë të vegjël të cilët më pas mund t’i hapni me okllai.

Secili kulaç mund të ndahet në katër pjesë drejtkëndore të cilat mund t’i prini në shirita të gjatë.

Shiritat prej brumi mund t’i mbushni një e nga një me nga një lugë gjelle nga mbushja e përzgjedhur dhe t’i mbështillni duke i dhënë formën e trekëndëshit.

Byreçkat vendosini në një tepsi të cilën më parë e keni lyer me vaj.

Byreçkat mund t’i lyeni në sipërfaqe me pak gjalpë dhe t’i fusni në furrë.

Pjekja e tyre zgjat 30 minuta ose derisa të marrin një ngjyrë të artë.

Byreçkat serviren të ngrohtë dhe duke u shoqëruar me kos.

Youtube

Arkiva

Kategoritë