Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Naim Murselit dhe dy të tjerëve iu vazhdohet masa e paraburgimit

Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt, iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për nga dy muaj, ka raportuar Betimipërdrejtësi.

Këtë e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga Zyra e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Medina Gashi, duke thënë se do të mbahen nën paraburgim deri më 25 tetor të këtij viti.

“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.

Youtube

Arkiva

Kategoritë