Sot është Dita e Evropës, e cila tradicionalisht festohet më 9 maj të çdo viti. Në fillim ajo u caktua nga Këshilli Evropian si Dita e Evropës, por më vonë Bashkimi Evropian e përcaktoi 9 majin në përkujtim të deklaratës Schumanit të vitit 1950.
Dita e Evropës është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE, Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake. Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.
Kosova edhe pse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, në listën e festave zyrtare e feston 9 majin, Ditën e Evropës. Për këtë ditë në shtetin më të ri evropian edhe pushohet, madje edhe nëse Dita e Evropës qëllon të jetë ditë vikendi, ajo zëvendësohet me një ditë pune në fillim të javës.
Këtë vit kjo festë i ka rënë ditën e enjte, pra ditë pune, por administrata shtetërore nuk punon, nuk punojnë as shkollat apo universitetet, e gjithashtu as shumë qendra mjekësore të nivelin primar.