Të deklarosh ndjenjat në rrjetet sociale nuk është diçka e jashtëzakonshme në ditët që po jetojmë. Ndonjëherë ndesheni në Instagram ose Facebook me çifte që në dukje paraqiten shumë të dashuruar: Foto romantike, dedikime marramendëse, surpriza të mëdha, dhurata të shtrenjta. Disa edhe mund të mërziten me partnerin e tyre kur shohin të tilla gjëra në rrjetet sociale. Gjithsesi, për ju që nuk e shprehni shumë dashurinë në rrjetet sociale kemi një lajm të mirë për ju: Ata që bëjnë deklarata të tilla kudo, nuk janë edhe aq në harmoni me njëri-tjetrin.
Ka një kufi për çdo gjë
Mund të jetë krejtësisht normale që herë pas here të publikoni dedikime dashurie në rrjetet sociale. Për shembull, në studimet e kryera më parë, njerëzit treguan se nëse mbanin në foto profili partneren/partnerin marrëdhënia e tyre bëhej më e afërt. Mirëpo, sipas ekspertëve, ekziston një kufi se deri ku mund të arrijë kjo “punë”. Shkencëtarët kanë zbuluar se personat që publikojnë vazhdimisht foto me partnerin/partneren, ndihen të pasigurt për ndjenjat për njeriun që kanë në krah.
Mirëpo, pasiguria nuk është e vetmja çështje. Studiuesit nga Universiteti Brunel raportuan gjithashtu se njerëzit që publikojnë shumë foto dhe bëjnë dedikime të shpeshta për partnerin, mund të kenë një vetëvlerësim të ulët.
Sipas shkencëtarëve, një sjellje e tillë mund të shpjegohet me dëshirën për të rritur vlerën e vetvetes dhe për të hedhur poshtë përshtypjet e të tjerëve se marrëdhënia e tyre është e dobët dhe aspak e lumtur. Ata kërkojnë vlerësim për veten dhe të tjerët, duke dëshmuar se marrëdhënia e tyre është në rregull dhe se ata janë mirë bashkë.
Sigurisht, ky studim nuk i përfshin të gjitha çiftet që publikojnë foto në rrjetet sociale. Mirëpo, përpara se të publikoni foto me gjysmën tuaj mendoni me vete: Dëshironi ta publikoni këtë foto sepse është një moment vërtet i lumtur në jetën tuaj apo sepse jeni të interesuar se si do të dukeni në sytë e të tjerëve? /Familja Jonë