Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Pse prekemi nga kanceri?

“Pse mua, pse u sëmura me kancer kur duhanin s’e pi, kam bërëjetë të shëndetshme, praktikoj aktivitet fizik, nuk jam i shëndoshë dhe nuk kam as të afërm që kanë vuajtur nga kjo sëmundje?”

Përgjigja e kësaj pyetjeje jepet tashmë nga një studim i publikuar në “Science” e që mban firmën e dy autoriteteve të kësaj fushe: Bert Vogelstein, onkolog me famë ndërkombëtare dhe Cristian Tomasetti, i diplomuar në Trieste, onkolog dhe ekspert i biostatistikës: Të dy punojnë pranë Universitetit “Johns Hopkins” të Baltimorës, Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat e studimit tregojnë se të paktën dy të tretat e mutacioneve të ADN-së që vihen re gjatë formave më të zakonshme të kancerit nuk vijnë për shkak të ndikimit të faktorëve ambientalë (si duhani për shembull) dhe as trashëgimisë, por për shkak të gabimeve në kopjimin e ADN-së që ndodh gjatë shumimit qelizor.

“Dihet që duhet të evitohen faktorët ambientalë, si duhani, për të reduktuar rrezikun e një tumori”, komenton Tomassetti. “Por nuk është aq e ditur që, sa herë që një qelizë shumëfishohet dhe kopjon ADN-në e saj, mund të bëhen gabime. Këto gabime janë një burim potencial i mutacioneve kancerogjene”.

Teoria që kanceri varet nga një farë “fati i keq” nuk është e re: Volgestein dhe Tomassetti publikuan në 2015-ën punën e tyre, ku pohonin se si pjesa më e madhe e tumoreve lidhej me mutacionet e ADN-së si pasojë e gabimeve që gjenerohen gjatë shumëfishimit qelizor.

Studimi në atë kohë u kritikua nga disa hulumtues, sepse autorët nuk kishin marrë në konsideratë disa prej tumoreve më të shpeshta, si ai i gjoksit, dhe për shkak sepse kërkimi rrezikonte të vinte në dyshim efikasitetin e parandalimit.

Por tani dy studiuesit amerikanë kanë bërë kërkime më të thella. Kanë marrë në konsideratë 32 lloje të ndryshme kanceri, kanë analizuar 423 regjistra të pacientëve me kancer në 68 vende dhe kanë përdorur një model të ri matematikor për të analizuar sekuencat e tyre gjenetike.

Ja çfarë zbuluan për shembull në rastet e kancerit të pankreasit:

Një parantezë: Që kanceri të zhvillohet duhet të ndodhin mutacione në dy gjene të caktuara, të konsideruara si “kritike”.

Në rastin e pankreasit, në 77 % të rasteve mutacionet vijnë për shkak të gabimeve në kopjimin e ADN-së, në 18 % të rasteve për shkak të faktorëve ambientalë, si duhani; Dhe në 5 % për shkak të trashëgimisë.

Në lloje të tjera, si ai i prostatës, i trurit dhe i kockës më shumë se 90 % e mutacioneve vijnë për shkak të gabimeve të kopjimit të ADN-së.

Ndërsa tumori në mushkri ka një panoramë ndryshe: 65% e të gjitha mutacioneve i atribuohen faktorëve ambientalë (kryesisht duhani) dhe 35% gabimeve në kopjimin e ADN-së.

Si përfundim, duke parë 32 tipe tumoresh, hulumtuesit vlerësojnë se 66% e mutacioneve të vëzhguara vijnë nga gabimet në kopjimin e ADN-së, 29 % për shkak të stilit të jetës dhe ambientit dhe mbetet 5% për shkak të trashëgimisë.

Ky studim shpjegon, pse disa tumore janë më të shpeshta në organe ku shumimi qelizor është më aktiv: si zorrët për shembull ndryshe nga truri ku qelizat praktikisht nuk riprodhohen. Gjithashtu shpjegon se përse shpeshtësia e tumoreve lidhet me moshën.

Është e vërtetë që me kalimin e viteve rritet ekspozimi eventual ndaj faktorëve ambientalë kancerogjenë, por është gjithashtu e vërtetë që me moshën qelizat e organizmit vazhdojnë të shumëfishohen dhe kështu hasin mundësi gabimi në kopjimin e ADN-së.

Cilat janë pasojat e këtij studimi përsa i përket parandalimit? Pika e parë është se pavarësisht të gjithave: mos harroni parandalimin primar, pra eliminoni të gjithë faktorët ambientalë që mund të favorizojnë kancerin.

Dhe duke qenë se rezulton se kanceri është “çështje fati”, atëherë lind nevoja e diagnostikimit të hershëm. Duke qenë se nuk mund të parashikohen mutacionet e ADN-së (të paktën momentalisht) është e rëndësishme t’i nënshtroheni të gjithave testeve që janë në gjendje të zbulojnë disa lloje tumori.

Youtube

Arkiva

Kategoritë