Në 27 vjetorin fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, përcolli mesazhin se Shqipëria i është falënderuese Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj të NATO-s.
“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të Aleancës së NATO-s kundër regjimit shtypës serbomadh të Millosheviçit, fushatë e cila përfundoi me sukses duke sjellë lirinë e Kosovës dhe paqen që gëzojmë sot në të gjithë rajonin.” – ka shkruar Begaj.
“Shqipëria, sot e përgjithmonë, i është falënderuese Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj të NATO-s!” – ka përmbyllur ai.
Sot shënohen 27 vjet nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë Clinton mbajti fjalim para popullit amerikan, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor të 1999-tës, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi Millosheviq-it.












