Gjatë gjithë vitit ëndërrojmë dhe presim me padurim që të vijë vera. Mezi presim që të shtrihemi në plazh, të dëgjojmë valët e detit dhe pranë ta kemi një libër të mirë të cilin e lexojmë kur nuk jemi duke dremitur
Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
E kemi provuar çdo vit se disa ditë në plazh me disa orë në ditë not në valët e detit dhe me ndjesinë e rërës midis gishtave të këmbëve bën mrekulli dhe ndikon jashtëzakonisht pozitivisht në kondicionin fizik dhe mendor gjatë shumë muajve më pas.
Deti ndikon shumë pozitivisht në trupin tonë! Kjo vlen për të gjithë…e edhe për shtatzënat. Nëse jeni shtatzënë, kjo nuk do të thotë se duhet të anuloni pushimin dhe të “sakrifikoni” qejfin e jashtëzakonshëm që ofron një ose dy javë në det. Por, janë disa këshilla të cilat duhet t’i përfillni në mënyrë që të jeni të sigurt se gjithçka me shtatzëninë do të jetë në rregull.
- Pini shumë ujë! Gratë shtatzëna duhet të pijnë shumë ujë. Në asnjë mënyrë nuk duhet që të dehidroheni dhe kjo mund të ndodh lehtësisht gjatë shtatzënisë. Nëse qëndroni në diell për rreth një orë, ju duhet të pini së paku 250 mililitra ujë.
Nëse dehidroheni bebja juaj e ka më të vështirë që të furnizohet me oksigjen dhe me materie tjera ushqyese dhe kjo ndikon negativisht në zhvillimin e bebes.
Duhet ta keni parasysh se edhe nëse qëndroni në hije ose nën çadër dhe fryn erë e lehtë, pra ndjeheni krejtësisht rehatshëm dhe nuk djersitni, prapëseprapë uji largohet nga organizmi përmes avullimit dhe mënyrave tjera (pra, uji nuk humbet nga trupi juaj vetëm përmes djersës, por ka edhe rrugë të tjera të eliminimit).
- Mos rrini në diell! Nga ora 11 deri në ora 16 nuk rekomandohet qëndrimi në diell për të gjithë ne, por tash kur jeni shtatzënë përpiquni që të mos qëndroni në diell edhe para mesditës si dhe pas orës katër të pasdites.
Qëndroni kryesisht në hije dhe ndihmoni trupit tuaj që të ndjehet freskët.
- Mbroni lëkurën tuaj nga rrezet e diellit. Është shumë me rëndësi që lëkura juaj të mbrohet nga dielli. Gjatë shtatzënisë lëkura juaj është shumë më e ndjeshme nga rrezeve ultraviolet. Nëse lëkura juaj digjet, rrjedhimisht rritet temperatura juaj trupore dhe kjo shkakton probleme për ju dhe për beben tuaj.
Lyeni lëkurën tuaj me krem për mbrojtje nga dielli me faktor mbrojtës së paku 40 (SPF 40). Lyeni lëkurën tuaj shpesh. Kontrolloni përmbajtjen e kremit ose vajit dhe shikoni se mos ka kimikalie tjera në të; mos e merrni nëse ka oksibenzon./telegrafi.com













