Një moment krenarie për familjen dhe për futbollin e të rinjve në Kosovë. Futbollisti i ri Noar Guri është përzgjedhur të jetë pjesë e fazës finale të programit FIFA – FFK Academy, një projekt i ri për zhvillimin e talenteve të futbollit që organizohet nga FIFA në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Në procesin e seleksionimit morën pjesë 183 lojtarë të gjeneratës 2013 nga Regjioni i Prishtinës, ndërsa vetëm 19 prej tyre arritën të kalojnë në fazën finale, ku pjesë e kësaj elite është edhe Noar Guri.
Noari është pjesë e shkollës së futbollit Elite FC, klub që ka kontribuar në zhvillimin e tij që nga hapat e parë në futboll.
Noar Guri është pjesë e shkollës së futbollit Elite FC që nga mosha 6-vjeçare. Sot ai është 12 vjeç dhe tashmë numëron 6 vite përvojë në futboll, duke treguar përkushtim dhe progres të vazhdueshëm.
Përveç stërvitjeve të rregullta me ekipin e tij, Noari zhvillon edhe dy stërvitje shtesë në javë me trajnerin e tij personal, Flamur Asllani. Puna e palodhshme, disiplinimi dhe konsistenca e tij, së bashku me përkushtimin e trajnerit, kanë bërë që ai të dallohet mes moshatarëve të tij.
Noari është gjithashtu pjesë e garave kampionale të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), ndërsa përvojë të rëndësishme ka fituar edhe në turne ndërkombëtare.
Ai ka përfaqësuar ekipin e tij në disa turnire të rëndësishme jashtë vendit, duke arritur rezultate të spikatura:
- Turneu në Ohër, Maqedonia e Veriut
- Turneu në Stamboll, Turqi – vendi i tretë
- Summer Cup, Durrës – vendi i dytë
- IberCup Estoril, Portugali
- MIC Football, Barcelona – në mesin e 16 ekipeve më të mira nga 45 shtete pjesëmarrëse
Programi FIFA Talent – FIFA Academy, që këtë vit organizohet për herë të parë në Kosovë nga FIFA dhe FFK, ka për qëllim zbulimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj në futboll.
Ky projekt krijon një sistem ku identifikohen lojtarët më premtues në vend dhe trajnohen sipas standardeve të FIFA-s, duke u dhënë mundësi të zhvillohen dhe të avancojnë drejt niveleve më të larta të futbollit.
Përzgjedhja e Noar Gurit në fazën finale të këtij programi konsiderohet një arritje e rëndësishme dhe një hap i madh në rrugëtimin e tij sportiv.











