Hën, Maj 11, 2026
Banner Top
Banner Top

Një studim i ri ka gjetur se foshnjat e lindura nga gratë me endometriozë kanë një rrezik pak më të lartë për anomali kongjenitale, të njohura si defekte të lindjes.

Hulumtimi është publikuar në Revistën Mjekësore Kanadeze dhe është bazuar në analizën e më shumë se 1.4 milion lindjeve në Ontario të Kanadasë.

Sipas studiuesve, nga 33 mijë e 619 foshnja të lindura nga nëna me endometriozë, rreth 6.3 për qind kanë pasur ndonjë anomali kongjenitale, krahasuar me 5.4 për qind të foshnjave të lindura nga gratë pa këtë sëmundje.

Studimi tregon se endometrioza është lidhur me rritje të rrezikut për probleme në zemër, sistemin gastrointestinal, organet gjenitale dhe sistemin muskulor-skeletor tek foshnjat, si dhe me disa lloje tumoresh.

Megjithatë, autorët theksojnë se rreziku absolut mbetet i ulët.

“Edhe pse kemi vërejtur një rritje modeste të rrezikut, numri i përgjithshëm i anomalive kongjenitale tek foshnjat e lindura nga gratë me endometriozë mbetet i vogël”, kanë shkruar studiuesit.

Endometrioza është një sëmundje kronike inflamatore, shpesh e dhimbshme, ku ind i ngjashëm me atë të mitrës rritet jashtë saj. Ajo prek rreth një në dhjetë gra të moshës riprodhuese dhe mund të ndikojë edhe në fertilitet.

Në një editorial të lidhur me studimin, ekspertët kanë bërë thirrje për diagnostikim më të hershëm, trajtim më efektiv dhe rritje të vetëdijes për endometriozën.

Sipas tyre, kjo sëmundje vazhdon të jetë e nënvlerësuar dhe shpesh trajtohet me vonesë, pavarësisht pasojave që mund të ketë në shëndetin e grave dhe shtatzëninë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë