Me ardhjen e temperaturave të larta gjatë verës, shfaqen edhe mizat e bezdisshme që na prishin rehatinë në shtëpi dhe ambiente të hapura.
Shumë pronarë shtëpish, në kërkim të zgjidhjeve të dobishme, në vend që të përdorin kimikate të dëmshme, po i drejtohen gjithnjë e më shumë alternativave natyrore.
Megjithatë, disa metoda të thjeshta duke përdorur përbërës që pothuajse çdo familje i ka në dispozicion mund të jenë të dobishme. Eksperti i sigurisë në shtëpi, Neil McKenzie, ka ndarë një metodë për parandalimin e mizave në shtëpinë tuaj. Sipas Mirror, e tëra çfarë ju nevojitet për të larguar mizat është një limon dhe disa karafil. Ai e përshkruan kombinimin si zgjidhjen perfekte të menjëhershme dhe afatshkurtër për t’u hequr qafe dëmtuesit bezdisës.
Për të parandaluar hyrjen e mizave në shtëpinë tuaj, vendosni gjysmat e limonit në vende strategjike. Ato mund të vendosen në enë të vogla ose në gota vezësh dhe të vendosen përreth shtëpisë, pranë tasave me fruta, në pragje dritaresh ose pranë koshave të plehrave. Aroma e fortë e lëngut të limonit dhe vajrave natyralë nga karafilët i largon mizat.
Kjo qasje nuk është vetëm efektive, por edhe një alternativë më e sigurt në krahasim me përbërësit e dëmshëm kimikë. Është e nevojshme të zëvendësohet limoni me një të ri pas tre deri në pesë ditësh, pra kur të thahet.
Një mënyrë tjetër e dobishme është përgatitja e një përzierje me vaj menteje dhe uthull të bardhë. Për të përgatitur këtë sprej natyral, duhet të përzieni një gotë ujë, një gotë uthull të bardhë, disa pika vaj esencial menteje dhe një pikë detergjent për larjen e enëve. Përzierja duhet të tundet dhe të aplikohet në kornizat e dyerve, pragjet e dritareve, tavolinat e jashtme dhe sipërfaqet e punës brenda.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se parandalimi është çelësi për një shtëpi pa miza. Mbajtja e një niveli të lartë higjiene është hapi më i rëndësishëm. Kjo përfshin nxjerrjen e mbeturinave rregullisht dhe larjen dhe tharjen e plotë të kazanëve të plehrave për të hequr mbeturinat që tërheqin mizat. Ushqimi duhet të mbahet gjithmonë i mbuluar, dhe frutat dhe perimet që fillojnë të kalben duhet të hiqen menjëherë.












