Mar, Maj 17, 2022
Banner Top
Banner Top
Rritja e çmimeve ka prekur edhe sektorin farmaceutik

Ndaj ngritjes së çmimeve të produkteve esenciale ushqimore dhe produkteve të tjera, imune nuk kanë qenë as çmimet e produkteve farmaceutike, por krahasuar me shkallën e lartë të rritjes së produkteve tjera, çmimet e barnave nuk kanë shënuar ndonjë rritje të theksuar. Kështu thonë në Odën e Farmacistëve të Kosovës, ku sipas tyre ndryshime të vogla në çmime kryesisht vërehen te ilaçet që nevojiten për trajtim kronik.

Se çmimet e produkteve farmaceutike kanë ndryshime për shkak të inflacionit me të cilin por ballafaqohet Kosova e thonë edhe Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave t Pacientëve dhe anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Por, krahas këtij shqetësimi, ata ankohen se lista e barnave esenciale nuk është e përmbushur dhe kjo po e rëndon edhe më tej xhepin e pacientëve.

E ndonëse nuk kanë dashur të flasin para kamerës, për KP, rritjen e vogël të prodhimeve farmaceutike e kanë deklaruar edhe pronarë të disa barnatoreve në kryeqytet.

Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dardane Mehaj u shpreh se krahasuar me trendin global të rritjes së çmimeve, te barnat ka një ngritje të çmimit por jo të madhe.

Ajo thotë se kjo rritje e vogël kryesisht ka prekur çmimet e barnave për diabet, hipertension e sëmundje të tjera kronike. Kurse, vitaminat e terapitë tjera për sëmundje më të rënda nuk kanë pësuar ndryshim.

“Në krahasim me trendin global të rritjes së çmimeve në pothuajse të gjitha produktet që po i prekim ne, te barnat ka ndikuar një rritje por mund të theksohet se nuk është ndonjë rritje e madhe dhe jo te të gjitha. Kjo varet nga prodhuesit sepse është një zinxhirë derisa të vijë në barnatoret tona por nuk ka pësuar ndonjë ndryshim drastik në krahasim me çmimin e artikujve ushqimor……I ka prekur ndoshta ato që janë më shumë kronike duke e theksuar kjo politika e dhënies së çmimeve prej distributorëve me shumicë tek ata me pakicë këtu është ai zinxhiri ku bëhet rritja e çmimeve që ndikon direkt….Kryesisht tek ato që janë kronike jo tek ato pjesa e vitaminave dhe produkteve që nuk janë të përditshme”, theksoi ajo.

Kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK),Besim Kodra thekson se ankesa për ngritje të çmimeve nga pacientët nuk kanë pranuar, por ai beson se trendi i ngritjes së çmimeve ka prekur edhe sektorin farmaceutik.

Sipas tij, vazhdon të jetë shqetësuese mos përmbushja e barnave nga lista esenciale, pasi kjo bëhet barrë për vetë qytetarin.

“Parimisht nëse ka rritje të çmimit të energjisë dhe të derivateve çdo gjë ka me shkuar me rritje, duke përfshirë edhe barnat. Unë e shoh këtu një problem më të madh sesa ky është përmbushja e barnave të listës esenciale qoftëse shteti do të përmbushte listën e barnave esenciale për të cilën e ka obligim dhe ka nënshkruar një gjë të tillë, ne konsiderojmë se do të kishte shumë më pak që pacienti nga xhepi të paguaj barna. Fakti që kjo nuk po ndodh shteti dy herë po e dëmton pacientin njëri që po ia keqpërdorë taksat e tij dhe njëherë që po e detyron barnat që ai i ka paguar me taksat e veta….Nuk kemi pasur ankesa të tilla sepse pacientët jo gjithmonë e dinë se sa ka kushtuar një bar më herët dhe sa kushton tani përveç ata që kanë sëmundje kronike dhe duhet t’i blejnë në mënyrë të vazhdueshme nuk kemi pasur ankesa të tilla por unë besoj që do të ketë shtrenjtim. Por ajo që unë uroj që shteti të përmbush listën esenciale që këta pacientë me mos me pas nevojë me ble barna nga xhepi”, u shpreh Kodra.

Kurse, anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu thotë se as produktet farmaceutike nuk kanë qenë imune karshi rritjes së çmimeve të produkteve të tjera me të cilat po ballafaqohet qytetari. Por, edhe ai thekson se nuk ka pasur një ngritje shumë të madhe të çmimeve, krahasuar me produkte tjera.

Edhe deputeti i partisë opozitare PDK kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të ketë furnizim më të mirë me barnat nga lista esenciale.

“Ka ngecje në furnizim nga barnat me listë esenciale, vazhdon pra të ketë një shpenzim ekstra për qytetarin edhe blerja e barnave dhe nuk kanë qenë imun nga ngritja e çmimeve as ngritja e çmimit të barnave, por në krahasim me produktet tjera nuk ka pasur një rritje shumë të madhe të produkteve farmaceutike në këtë rast të barnave dhe kjo ka një kosto shtesë për qytetarët. Por, duhen veprime nga ana e qeverisë për furnizim me barna nga lista esenciale që mos të ketë një kosto të lartë për qytetarin”, u shpreh Haxhiu.

Kujtojmë që Kosova ende nuk ka ligj i cili përcakton çmimet e barnave./probleme.me

Arkiva

Kategoritë