Pre, Gus 19, 2022
Banner Top
Banner Top
Për rëndësinë që ka vitamina D dhe mënyrën se si ta marrim atë për trupin tonë – tregon endokrinologia, Rina Tafarshiku

Albina Selmanaj

E njohur si “vitamina e diellit”, vitamina D është e domosdoshme për rregullimin e nivelit të kalciumit dhe fosforit në organizmin tonë, duke luajtur rol kyç në mbajtjen e strukturës normale të eshtrave. Kjo vitaminë është e njohur si e tillë  për shkak se është një ndër vitaminat që nuk prodhohet nga trupi ynë vetvetiu, por burim ka rrezet e diellit.

Për më shumë rreth rolit të kësaj vitamine ka dhënë detaje endokrinologia, Rina Tafarshiku, në një intervistë për Familjajonë, ndër të cila ajo përmendi rrezet e diellit dhe salmonin si një ndër burimet kryesore të kësaj vitamine.

“ Vitaminën D mund ta marrim përmes rrezeve të diellit, pastaj mund ta marrim edhe nga disa ushqime si nga të verdhat e vezës, disa lloje të peshqve siç është salmoni, tuna mandej është qumështi dhe janë disa cereale që janë të fortifikuara me vitaminë D, dhe në këtë mënyrë mund të marrim vitaminën D”, shpjegoi Tafarshiku.

Ndërkaq, sa i përket rëndësisë së kësaj vitamine për trupin tonë Tafarshiku, tha se kjo vitaminë më së miri ka treguar rolin e saj te pacientët që kanë pasur COVID-19, kjo sepse ata që kanë pasur vlerë më të madhe të kësaj vitamine i kanë kaluar më lehtë vështirësitë e këtij virusi, në krahasim me ata që kanë pasur vlerë më të vogël.

“Vitamina D deri vonë nuk pasur shumë studime dhe nuk i është kushtuar shumë rëndësi, ndërkaq viteve të fundit i kushtohet rëndësi të madhe kjo për shkak se ka rëndësi në mbajtjen e metabolizmit të kockave, sepse kjo merre pjesë në metabolizimin e kalciumit, e bënë absorbimin e kalciumit prej zorrëve dhe e mirëmban shëndetin e kockave. Pastaj ka rëndësi në shëndetin e muskujve, po ashtu studimet të shumta që janë bërë edhe sa i përket COVID-19, pacientët që kanë pas vlerë të mjaftueshme të vitaminës D kanë pasur formë më të lehtë të sëmundjes në krahasim me ata që kanë pasur sasi më të vogël”, tha ajo.

Tutje, ajo tregoi edhe sëmundjet që mund të shkaktojnë mungesë të kësaj vitamine, pjesë e të cilave janë sëmundjet e mëlçive dhe veshkave.

“Meqenëse rrezet e diellit janë faktorët kryesor që ndikojnë në formimin e vitaminës D atëherë mos ekspozimi ndaj rrezeve të diellit është një prej shakatarëve të mungesës së kësaj vitamine në organizëm. Mungesa e kësaj vitamine shkakton sëmundje të mëlçisë, mandej munden me qenë sëmundjet e veshkave, marrja e disa suplimenteve dhe baranave dhe po ashtu sëmundja e zorrëve mund të ndikojë që të kemi mungesën e kësaj vitamine në trupin tonë”, tregoi endokrinologia.

Tafarshiku, po ashtu shpjegoi edhe sasinë e duhur të vitaminës D që duhet të përmbajë trupi ynë në ditë, që të mos kemi probleme të tjera sidomos të kockave, që është 400 njësi për fëmijë, ndërsa për të rritur 800 njësi vitaminë D.

“Preferohet që personat e rritur të marrin 800 deri në 1000 njësi të vitaminës D, ndërkaq nëse shihet se ka mungesë të vitaminës D atëherë merret në doza më të larta deri në 25 mijë njësi në javë, varësisht prej mungesës së vitaminës me qëllim që kompensua mungesën. Ndërsa te fëmijët preferohet që të marrin 400 njësi në ditë me vitaminë D dhe të hanë ushqim që e përmbajnë këtë vitaminë.”, përfundoi ajo.

Ndër të tjera, kjo vitaminë mund të mungojë vetëm nëse njerëzit nuk janë të ekspozuar ndaj diellit për një kohë të gjatë (njerëzit me ngjyrë të errët, njerëzit në vendet veriore, të moshuarit që shpenzojnë shumicën e kohës së tyre në shtëpi si dhe ata që mbulojnë shumë trupin me rroba).

Youtube

Arkiva

Kategoritë