Shkruar nga Fisnik Dajakaj
Fjalia “Virusi mund ta prekë cdokënd”, e thënë shumë shpesh, qoftë në biseda private, ashtu edhe në diskutime publike, besohet edhe më shumë kur njerëzit rrëfejnë përvojat dhe vuajtet e tyre me koronavirusin.
Një ndër të infektuarit ishte edhe aktivisti nga komuna e Mitrovicës, Liridon Kurti, i cili tregon se si u infektua dhe simptomat që e përcollën gjatë dy javëve sa ishte i infektuar.
Kurti tregon se për të infektuarit e parë mori vesh gjatë kohës sa po e festonte ditëlindjen me shokët e tij, e që për rastësi i binte të ishte pikërisht 13 marsi, ditë në të cilën u paraqitën dy rastet e para me koronavirus.
“E veçanta e rrëfimit tem është se rastin e parë e kemi kuptu tu e festu ditëlindjen me shokë”, theksoi ai.
Përkundër që ishte gjithnjë në lëvizje duke iu ndihmuar shumë banorëve të Mitrovicës në sigurimin e miellit dhe gjërave të tjera ushqimore, Kurti ia doli të mbrohej shumë mirë nga infektimi. Deri në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.
Ai tregon se një javë e kishte me simptoma si ethe dhe kollë.
“Po 1 javë kam pasë simptoma, ethe, temperaturë, m’u bllokojke fryma etj. Ishte e vështirë të qëndroja gjithë ditën në shtëpi. Jam i mësuar të lëviz, prandaj më pengonte ajo gjendje”, shtoi tutje Kurti.
Tashmë kur është shëruar plotësisht, Kurti u bën apel të gjithë qytetarëve ta besojnë virusin dhe të ruhen ai, sepse ai ekziston.
“Besoni që ka virus! Virusi ekziston, merreni seriozisht! Nëse jo për veti, për hatër të më të dashurve tuaj”, përfundoi ai.