Stafi shëndetësor i angazhuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19, ditë më parë ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë pasi për gati tre muaj nuk ishin paguar.
Ndërkaq, sot Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për Ministrinë e Shëndetësisë.
Me këtë rast, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për alokimin dhe shpenzimin e mjeteve buxhetore deri në vlerën 1 milion e 768 mijë e 300 euro e 93 cent për pagesën e obligimeve kontraktuale të krijuara me lidhjen e kontratave me 1 mijë e 271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19, për periudhën 15 mars – 15 qershor 2022.
Ditë më parë me pankartat në duar që mbanin mbishkrimet “Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs në gjermanisht në orën 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim arsyeja”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, ata kanë kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për pagat e tyre dhe po ashtu rreth kontratave që iu skadojnë në qershor.













