Pre, Qer 12, 2026
Banner Top
Banner Top
Publikim i Ri: Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Mjekësia Familjare në Kosovë 1999–2026

Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS), në bashkëpunim me Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) dhe Aksionin për Nëna dhe Fëmijë (AMC), organizoi takimin për prezantimin e dokumentit analitik “Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Mjekësia Familjare në Kosovë (1999–2026)”.

Dokumenti është përgatitur përmes një procesi konsultativ me ekspertë, profesionistë shëndetësorë, institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile, duke reflektuar përvoja, perspektiva dhe rekomandime për forcimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Mjekësisë Familjare në Kosovë.

Analiza ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të zhvillimit të Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Mjekësisë Familjare gjatë periudhës 1999–2026, duke evidentuar progresin e arritur, sfidat aktuale dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e mëtejmë të sistemit shëndetësor.

Gjatë takimit u theksua se një nga sfidat më të rëndësishme lidhet me qëndrueshmërinë e fuqisë punëtore në Mjekësinë Familjare. Një pjesë e konsiderueshme e specialistëve të Mjekësisë Familjare po i afrohen moshës së pensionimit, duke ngritur nevojën për politika dhe investime afatgjata që sigurojnë vazhdimësinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor për qytetarët.

Po ashtu, u theksua se Kujdesi Parësor Shëndetësor nuk duhet të shihet si niveli më i thjeshtë i sistemit shëndetësor, por si niveli më strategjik i tij. Kur funksionon mirë, pacientët marrin kujdesin e duhur në kohën e duhur, spitalet shmangin mbingarkesën, forcohet parandalimi dhe familjet përfitojnë shërbime më afër komunitetit të tyre.

Takimi shërbeu si platformë për dialog dhe shkëmbim përvojash ndërmjet drejtorëve komunalë të shëndetësisë, drejtorëve të QKMF-ve, ekspertëve dhe profesionistëve shëndetësorë, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, me synim identifikimin e prioriteteve dhe avancimin e mëtejmë të Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Mjekësisë Familjare në Kosovë.

Forcimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe Mjekësisë Familjare është investim në një sistem shëndetësor më të qasshëm, më efikas dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Analiza e plotë mund të shkarkohet në: https://isee-hsp.net/…/Analiza-KPSH-dhe-MF-1999-2026-1.pdf

Youtube

Arkiva

Kategoritë