Në kuadër të fushatës së Muajit Rozë, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me organizatën AMC kanë prezantuar “Informatorin për Ekzaminimin e Gjirit” për gratë e kryeqytetit, një nismë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për kontrollin e rregullt dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ky udhëzues ofron informacione të sakta mbi mënyrën e kryerjes së ekzaminimeve, si dhe mbi vendet ku gratë mund të marrin kujdes të mëtejmë në rast të shqetësimeve apo simptomave të mundshme.
“Ky informator është arritje e madhe sepse deri para dy muajsh nuk ka pas as informator, sot të gjitha që përballen me sfidën e kancerit e kanë një informator të saktë për hapat e ekzaminimit të gjirit për gratë dhe kjo është një ndihmesë shumë e madhe”, ka thënë Perparim Rama, kryetar i Prishtinës.
Drejtor i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishaj tha se ky informator është një hap konkret drejt zbulimit të hershëm të sëmundjes së gjirit si dhe tregon rëndësinë e mjekut familjar si pika e parë e referimit.
“Kemi një informator i cili duket shumë i thjesht i cili duhet të ketë impakt në zbulimin e hershem në sëmundjet e gjirit dhe kjo është një rezultat i jashtëzakonshëm dhe shpresojmë që të vuhet në praktik sa më shumë, kurse shpresojmë që viteve në vazhdim të kemi një program, i cili është hartuar në Ministrinë e Shëndetësisë, program nacional të skriningut”, ka thënë Kurtishaj.











