Sht, Dhj 4, 2021
Banner Top
Banner Top
“Pathway”, një projekt ndryshe për arsimin parashkollor

Përkundër se edukimi në fëmijërinë e hershme përbën një taban të rëndësishëm në zhvillimin e individit, numri i fëmijëve që shkojnë në qerdhe vazhdon të mos jetë i lartë.

 Arsyet e kësaj mospërfshirjeje në edukimin e hershëm janë nga më të ndryshmet, e si pasojë e kësaj jo shumë fëmijë shkojnë në çerdhe.

Një projekt që mëton të jetë ndryshe për nga metodologjia e punës me fëmijët është “Pathway”, i nisur nga psikologu dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fitim Uka, së bashku me Arian Musliun, që është drejtor i Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.

I kontaktuar nga Familja Jonë, Uka thekson se ideja për nisjen e një projekti siç është “Pathway” filloi si pasojë  e disa statistikave që tregojnë për  një mospërfshirje të madhe të fëmijëve në edukimin e hershëm dhe cilësisë jo të kënaqshme të mësimit nëpër çerdhet eksiztuese.

Uka tutje shpjegon se projekti “Pathway” ka për qëllim ofrimin e një kopshti i cili, sipas tij, do të ndërtojë standarde të reja në edukimin e hershëm.

“Ideja e projektit “Pathway” ka ardhur pas statistikave pak a shumë të frikshme kur marrim parasysh përfshirjen shumë të ulët të fëmijëve në edukim të hershëm. Në Kosovë ky është një problem i kahmotshëm që nuk po ia del të adresohet. Pos kësaj, edhe çerdhet e kopshtet ekzistuese dhe cilësia në edukimin e hershëm lë shumë për të dëshiruar, kështu që, bashkë me kolegun tim, Arian Musliun, që është shkencëtar i të mësuarit,jemi përpjekur që ta realizojmë një projekt për edukimin e hershëm që ka për qëllim ofrimin e një qendre, e një kopshti, që do të ndërtojë standarde të reja në edukimin e hershëm dhe që mbështetet në potencialin maksimal të fëmijëve”, tha Uka për Familja Jonë.

Ideja e këtij kopshti, sipas Ukës, veçse ka filluar të jetësohet, kësisoj ai pret që puna në këtë kopsht të fillojë që nga data 1 dhjetor.

Defekti kryesor, në kuadër të arsimit parashkollor ai e sheh te fakti se shumica e institucioneve arsimore parashkollore mbështeten shumë në memorizim në memorizim të fakteve, përderisa kjo periudhë do duhej t’u shërbente fëmijëve për krijimin e përvojave të reja e cila do t’u ndihmonte atyre ta njihin botën.

Problem tjetër te këto çerdhe ekzistuese, sipas tij, është edhe metodologjia e punës që nuk është e përshtatshme në raport me fëmijët, e që “Pathway” do të ofrojë qasje të re në këtë drejtim.

Uka, ndër të tjera, ngulmon që loja të zë vend të veçantë në edukimin e hershëm të fëmijëve, aktivitet ky që  është pjesë thelbësore e projektit “Pathway”

“Loja është aktivitet thelbësor përmes së cilit fëmijët mësojnë shumë.  Ka një keqkuptim të madh në fushën e psikologjisë dhe atyre që merren me edukimin e hershëm në lidhje me rolin që e ka loja në edukimin e fëmijës. Përmes lojës krijohet e zhvillohet imagjinata, zhvillohen edhe aftësitë e vetërregullimit, prandaj benefitet janë të shumëfishta”.

Ai për fund theksoi se duhet pasur kujdes në përzgjedhjen e lojërave, pasi lojërat që nxisin dhunë nuk janë aspak të preferueshme.

Arkiva

Kategoritë