Sëmundjet më vdekjeprurëse në Europë nuk shkaktohen nga viruset, por nga sëmundjet kronike që mund të shmangen me kujdes mjekësor dhe shëndet publik më të mirë, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Çdo vit, 1.8 milionë njerëz në rajonin europian të OBSH-së, që përfshin 53 vende në Europë dhe Azinë Qendrore, humbin jetën nga sëmundje jo infektive si kanceri, sëmundjet e zemrës, problemet kronike të frymëmarrjes dhe diabeti.
Edhe pse numri ka rënë që nga viti 2010, pandemia COVID-19 ka ndalur përparimin në uljen e këtyre vdekjeve të parandalueshme, raporton Euronews Health.
Rreth 60% e këtyre vdekjeve lidhen me faktorë rreziku si duhani, alkooli, presioni i lartë i gjakut, dieta jo e shëndetshme, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik. Për 40% të rasteve, shpëtimi varet nga qasja në kujdes shëndetësor të shpejtë dhe cilësor.
Hans Henri Kluge, drejtori i OBSH-së për Europën, theksoi se këto sëmundje “janë jo vetëm të parandalueshme dhe të trajtueshme, por edhe shpesh të injoruara”.
Disa vende kanë arritur përparim, duke ulur vdekjet e parakohshme nga këto sëmundje me më shumë se 25%, si Belgjika, Danimarka, Suedia dhe Zvicra. OBSH fton vendet e tjera të ndjekin shembullin dhe të përforcojnë sistemet e tyre shëndetësore.
Raporti vjen para një konference të OKB-së në muajin shtator, ku do të diskutohet për përmirësimin e kujdesit parësor, shëndetin mendor dhe ndikimin e sektorit privat në shëndetin publik.













