Sipas qytetarëve, mungesa e barnave bazë në spitalet publike të Kosovës mbetet një shqetësim i vazhdueshëm, duke i detyruar ata që t’i blejnë vetë medikamentet e nevojshme për trajtimet e tyre.
Tanimë, ka disa kohë që ata po blejnë barnat jashtë klinikave, e sidomos në QKUK.
Në lidhje me këtë, portali Familja Jonë ka kontaktuar disa nga spitalet e Kosovës për të mësuar më shumë rreth këtij problemi.
Ndër këto spitale, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ishte i gatshëm të përgjigjej. Spitali i Pejës deklaroi se nuk kanë mungesë të barnave esenciale, shkruan Familja Jonë.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë kryesishtë është i furnizuar nga lista esenciale me barna dhe shumica e barnave nga kjo listë i kemi”, potencuan nga ky spital.
Për këtë problem kanë reaguar disa qytetarë si dhe gazetarja Saranda Ramaj duke pohuar se ka mungesë të barnave esenciale.
ShSKUK, në anën tjetër, përmes një postimi në facebook theksoi se nuk ka pasur për asnjë moment mungesë të këtyre barnave./FamiljaJonë/