Shërbimi i Emergjencës në Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” po përballet me një fluks të lartë pacientësh, me mbi 7,600 raste të trajtuara brenda vetëm tre muajve të parë të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–mars, gjithsej 7,635 pacientë kanë kërkuar ndihmë emergjente. Vetëm në muajin janar janë regjistruar 2,730 raste, në shkurt 2,394, ndërsa në mars 2,511 pacientë.
Ekipet mjekësore kanë trajtuar një gamë të gjerë rastesh, duke përfshirë aksidente trafiku, plagosje, lëndime ortopedike, ndërhyrje kirurgjike urgjente, si dhe raste internistike, përfshirë probleme kardiake dhe komplikime të tjera shëndetësore.
Nga spitali bëjnë të ditur se mbingarkesa e vazhdueshme po krijon sfida në menaxhimin e rasteve, veçanërisht për pacientët në gjendje të rëndë që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm.
Në këtë kontekst, ky institucion u kanë bërë thirrje qytetarëve që për shqetësime jo emergjente, si kontrolle rutinë apo dhimbje të lehta, fillimisht të drejtohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare.













