Falë angazhimit të vazhdueshëm dhe inovacionit në fushën e Fotobiomodulimit (PBM) me laser, dr. Venera Berisha Muharremi ka arritur ta pozicionojë Kosovën ndër pesë vendet e vetme në botë që aplikojnë këtë metodë të avancuar në trajtimin e patologjive të gjëndrës tiroide.
Trajtimi me PBM është një qasje jo-invazive që ndihmon në rregullimin e funksionit tiroide përmes stimulimit të indeve me dritë me gjatësi të caktuar valore, e cila ndikon në proceset qelizore dhe metabolike të gjëndrës. Kjo metodë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në qarqet shkencore ndërkombëtare, për efektet e saj pozitive në pacientë me hipotiroidizëm dhe çrregullime të tjera tiroide.
Puna e dr. Berisha Muharremit është vlerësuar në nivel ndërkombëtar, duke rezultuar me ftesa si ligjëruese në kongrese të rëndësishme shkencore në Japoni (Osaka), SHBA (Florida dhe Boston), Emiratet e Bashkuara Arabe (Dubai), Kinë (Shanghai) dhe në disa shtete evropiane.
“Megjithëse për shkak të angazhimeve të shumta nuk do të mund të marr pjesë në të gjitha, prezenca ime në disa nga këto ngjarje do të jetë një mundësi për të ndarë përvojat tona klinike dhe për të përfaqësuar Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm,” thekson dr. Venera Berisha Muharremi.
Kjo arritje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt njohjes ndërkombëtare të kapaciteteve shkencore dhe klinike në Kosovë dhe një shembull se si avancimi profesional individual mund të ndikojë në pozicionimin e vendit në hartën globale të inovacionit mjekësor.













