Hën, Mar 30, 2026
Banner Top
Banner Top
Kosova ende pa vaksina kundër gripit sezonal


Në Kosovë ende nuk ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal. Ndonëse në muajin shtator është thënë se janë siguruar 160 mijë e 500 dozë të vaksinës kundër gripit, që janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), ato do të arrijnë në Kosovë në muajin nëntor.

Sami Uka, kryeshef i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, i tha Radios Evropa e Lirë se janë bërë gjitha përgatitjet për t’i vaksinuar qytetarët, por që vaksinat, siç thotë ai, janë vonuar.

Ai thotë se meqë është periudha e pandemisë me COVID-19, shtyrja e vaksinimit kundër gripit sezonal për grupe të caktuara, është e dëmshme.
“Fatkeqësisht jemi në periudhë të pandemisë dhe kjo shtyrje mund të ketë efekte negative, sidomos te të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe shtatzënat. Problem më i madh do të jetë ngatërrimi i simptomave të gripit sezonal dhe COVID-19, e që rrjedhimisht edhe diagnostikimi se cila është cila, por edhe në aspektin e trajtimit”, tha Uka.

Ndryshe, dallimi mes viruseve sezonale dhe koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen e COVID-19, është se koronavirusi i ri është më i ashpër se viruset sezonale, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka. Ndërkaq, sa i përket simptomave kanë ngjashmëri, si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhimbje etj.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, thonë se tashmë doza të mjaftueshme vaksinash janë prokuruar dhe pritet që në muajin nëntor të jenë të gatshme, në mënyrë që qytetarët të mund të vaksinohen.

Ndryshe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16,000 raste të regjistruara me grip sezonal.
Viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, për ç’gjë, autoritetet kishin shpallur atëbotë gjendjen epidemike të gripit. Derisa për vitin 2019 nuk kanë të dhëna për vdekje të personave me grip sezonal.

Youtube

Arkiva

Kategoritë