Pandemia koronavirus tashmë ka pushtuar tërë botën dhe jo vetëm kaq, ajo po merr edhe shumë jetë njerëzish.
E këshillat që duhen të ndiqen për ta parandaluar janë të shumta, por më e shpeshta është të mos prekim fytyrën tonë.
Sipas psikologes, Natasha Tiwari, prekja e fytyrës është pjesë e ADN së njeriut dhe është thuajse e pamundur ta ndalosh atë.
“Ne nuk mund ta ndalojmë atë, është pjesë e ADN tonë. E dimë këtë sepse edhe fetuset në barkun e nënës e prekin fytyrën e tyre. Kështu që sa herë i thua vetes ‘Mjaft e preke fytyrën, mos e prek fytyrën, nëse e prek fytyrën do të sëmurem’, po i thua vetes të bëjë diçka që është krejtësisht jo natyrale për ty”, tha ajo.
Edhe pse sipas psikologes është e pamundur të mos e prekësh fare fytyrën, ajo ka treguar sesi mund të shmanget sadopak prekja e saj.
“Ka disa pika që mund t’ju ndihmojnë ta lehtësoni disi këtë gjë. Ju mund të hiqni dorë nga disa gjëra, si për shembull të vendosni syze në vend të lenteve ose të përdorni më pak make-up. Po ashtu, mund të ‘mësoni’ t’i mbani duart në një vend të caktuar dhe të mos i lëvizni ato gjithë kohës, në mënyrë që të shmanget prekja e fytyrës”, ka shtuar ajo./Familja Jonë













