Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se ka arritur të aktivizojë dhe shërbime të reja për trajtimin e pacientëve me probleme shëndetësore neurologjike.
Sipas një njoftimi të SHSKUK-së, tashmë është funksionalizuar reparti për trajtimin e pacientëve jashtë spitalor, ambulanca emergjente, hapësira për trajtimin e aksidentit akut iskemit trunor me trombolizë dhe qendra për strok.
Në këtë njoftim është bërë e ditur po ashtu se janë funksionalizuar edhe disa ambulanca.
“Janë funksionalizuar ambulancat specialistike, neurofiziologjike, neuropsikologjike, hapësirat për trajtimin e pacientëve me Sklerozën Multiple dhe ka filluar projekti nacional për SM, me të cilin të gjithë pacientët mbulohen me terapi imunomoduluese. Gjithashtu, është trajnuar stafi dhe janë përpiluar protokollet për sëmundjen iskemike trunore, epilepsi dhe Skleroze Multiple”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur gjithashtu se vitin e kaluar në Klinikën e Nuerologjisë janë kryer 6 mijë e 252 vizita ambulatore, 1 mijë e 603 ekzaminime EEG, 819 ekzaminime EMNG, 659 ekzaminime Doppler, derisa janë ofruar 1 mijë e 422 shërbime në Kabinetin e Sëmundjeve Demilinizuese.