Një kardiolog i njohur ka paralajmëruar se ekziston një periudhë specifike gjatë mëngjesit kur zemra është nën ngarkesën më të madhe dhe rreziku për sulm në zemër rritet ndjeshëm.
Sipas mjekut Francesco Lo Monaco, kardiolog në Londër dhe autor i librit “Heart Saviour”, nga ora 06:00 deri në 10:00 të mëngjesit sistemi kardiovaskular kalon disa ndryshime fiziologjike që e bëjnë organizmin më të ndjeshëm ndaj problemeve të zemrës.
Ai shpjegon se gjatë këtyre orëve gjaku bëhet përkohësisht më “ngjitës”, duke rritur mundësinë e krijimit të mpiksjeve, ndërsa arteriet ngushtohen dhe niveli i hormonit të stresit, kortizolit, rritet menjëherë pas zgjimit.
Sipas tij, rreziku është edhe më i madh tek personat që kanë tension të lartë të gjakut, stres kronik, probleme me gjumin ose pllaka të paqëndrueshme në arterie.
Mjeku paralajmëron gjithashtu se zgjimi i menjëhershëm nga alarmi mund të krijojë “tronditje” për organizmin, shkruan Daily Star.
“Zgjimi i papritur nga alarmi ul aftësinë e sistemit kardiovaskular për t’u përshtatur me stresin pikërisht në momentin kur zemra është më e ngarkuar”, tha ai.
Mjeku Lo Monaco rekomandon që njerëzit të zgjohen gradualisht, të shmangin nxitimin në mëngjes dhe të përdorin alarme me dritë në vend të tingujve të fortë.
Ai këshillon gjithashtu që ushtrimet intensive fizike të shmangen gjatë 30 minutave të para pas zgjimit, pasi aktiviteti i menjëhershëm mund të shtojë presionin mbi zemër në orët më kritike të ditës.












