Mar, Tet 8, 2024
Banner Top
Banner Top
Ju dhemb qafa dhe nuk mund të punoni? Ja çka e shkakton atë!

Shkruar nga: Blerim Myftiu – Neurolog

Dhembja e qafës, ndjenja e koçitjes së saj dhe shtrëngimi në qafë janë simptomat me të cilat përballet pothuajse çdo njeri së paku një herë gjatë jetës. Spazma apo tkurrja e dhembshme e muskujve të qafës dhe e supeve karakterizohet me dhembje të mprehtë, lëvizjet e kufizuara dhe të dhembshme të qafës, kokë dhembje dhe shpesh marramendje e humbje kontrolli të drejtpeshimit.

Arsye për spazmën dhe dhembjen e qafës mund të jenë:

– lëvizjet e përsëritura të qafës
– qëndrimi ulur për kohë të gjatë në një pozitë (p.sh. para kompjuterit)
– lëvizjet e përnjëhershme dhe të pakontrolluara të qafës (p.sh. ndërrimi i pozitës në gjumë)
– pesha disproporcionale në supe (p.sh. mbajtja e çantës në njërin krah)
– mbajtja e diçkaje të rëndë në njërën anë
– stresi emocional
– ushtrimet e pakujdesshme të qafës
– pozita e keqe e trupit në qetësi
– mungesa e ujit në organizëm, përkatësisht konsumimi i pamjaftueshëm i tij
– depresioni dhe çrregullimi i ankthit

Pas ekzaminimit të mirëfilltë neurologjik duhet të eliminohet shkaku organik i problemit. Mund të paraqitet shpesh nevoja që të realizohet rezonanca magnetike e qafës apo ndonjë ekzaminim tjetër dhe të përjashtohet në mënyrë të prerë kjo mundësi. Kështu që, pjesa më e madhe e dhembjeve kronike të qafës do të dalin në fund të jenë të shkaktuara nga problemet e muskujve dhe të kujdesit të mangët për shëndetin e kurrizit.

Terapia me barna (analgjetikë, antiinflamatorë, relaksantë muskularë, kortikosteroide) mund të ndihmojë përkohësisht në qetësimin e simptomave. Por, zgjidhja afatgjatë e problemit qëndron në vetëdijesimin e kujdesit për kurrizin, kujdesin për pozitën e trupit, ushtrimet apo ecjet e rregullta të kurrizit, përshtatjen e karriges, tavolinës dhe mjeteve të tjera të punës, shmangien e qëndrimeve të gjata në një pozitë dhe relaksimin fizik dhe mendor.

Youtube

Arkiva

Kategoritë