Hën, Tet 6, 2025
Banner Top
Banner Top
Jo çdo ndryshim në gji është kancer, por çdo ndryshim duhet të hetohet dhe të diagnostikohet saktë

Gjatë përvojës sime profesionale, kam takuar shumë vajza të reja që paraqiten në ordinancë tepër të shqetësuara dhe jashtëzakonisht të dëshpëruara, vetëm sepse kanë vënë re një ndryshim në gji që ndjehet me prekje.

Pyetje të tilla si: “Doktoreshë, jam shumë e re për një diagnozë të tillë”, “Pse më ka ndodhur mua?” dhe të tjera të ngjashme janë të zakonshme dhe shpesh shoqërohen me ndjenjë frike dhe ankthi.

Prandaj, sot dua t’ia kushtoj këtë shkrim fibroadenomës në gji, një gjendje shumë e zakonshme dhe zakonisht jo e rrezikshme.

Fibroadenoma është një tumor beninj (jo kancerogjen) i gjirit, që zakonisht shfaqet tek vajzat dhe gratë e reja, zakonisht në moshën 15 deri në 35 vjeç.

Formohet nga indet fibroze dhe gjëndrat e gjirit.

Jo, në shumicën dërrmuese të rasteve, fibroadenoma është e padëmshme.

Gjithashtu:

  • Nuk rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të gjirit.
  • Mund të mbetet me të njëjtën madhësi ose të rritet ngadalë.
  • Në disa raste, mund të zhduket vetvetiu.

Sa u përket trajtimit, si tumor beninj zakonisht nuk kërkon ndërhyrje, vetëm ndjekje periodike me ekografi ose mamografi.

Kirurgjia mund të rekomandohet nëse:

  •  Masa rritet ndjeshëm.
  • Shkakton shqetësim ose dhimbje.
  • Ka pamje jo të zakonshme në ekzaminime.
  • Ekziston dyshim për diagnozën.

Pas kontaktit me mjekun e përgjithshëm, zakonisht rekomandohet një ekografi ose mamografi.

Ndërsa pas udhëzimit tek specialisti, në disa raste kërkohet biopsi për të konfirmuar se bëhet fjalë për fibroadenomë dhe jo për ndonjë lloj tjetër mase.

Nëse je duke përjetuar një gjendje të tillë, është e rëndësishme që fillimisht të qetësohesh dhe ta pranosh realitetin me qetësi.

Fibroadenoma është shumë e zakonshme dhe rrallëherë problematike.

Prandaj:

  • Bëj kontrolle të rregullta te mjeku i përgjithshëm, i cili mund të të referojë te mjeku specialist nëse është e nevojshme.
  •  Mbaj kontakt me mjekun nëse masa ndryshon në madhësi apo formë.
  •  Kujdesi për shëndetin fillon me informimin dhe me qëndrimin pozitiv.

Mos harro: jo çdo gjë që ndjejmë apo zbulojmë në trupin tonë është domosdoshmërisht e rrezikshme, por çdo ndryshim meriton vëmendje dhe kujdes profesional. Dr. Meritë Rrahmani

Youtube

Arkiva

Kategoritë