Krenare Hoti
Sëmundja e Parkinsonit ka rëndësi të madhe për shkak të ndikimit të saj të gjerë në individët e prekur dhe shoqërinë në tërësi.
Për të kuptuar më shumë rreth kësaj sëmundjeje, Familja Jonë ka intervistuar neurologun, Dr. Adnan Biqku, i cili na ka treguar më shumë rreth simptomave, shkaqeve, diagnostikimit, si dhe trajtimit. Gjithashtu, Dr. Biqku na ka informuar edhe sfidave psikologjike dhe sociale që përballen pacientët me sëmundjen e Parkinsonit.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm përfshin edhe ndryshimet në trurin e një personi me Parkinson krahasuar me një person të shëndetshëm për të cilat neurologu na ka treguar se ekzistojnë ndryshime specifike në një pjesë të trurit. Krejt në fund, doktori na njofton rreth hulumtimeve të fundit rreth sëmundjes së parkinsonit dhe trajtimevev të mundshme.
Gjeni poshtë intervisten e plotë.
- Çfarë është sëmundja e Parkinsonit dhe cilat janë simptomat e saj kryesore?
Sëmundja e Parkinsonit është sëmundje kronike, neurodegjenerative, progresive e trurit e cila kryesisht prek moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe më herët. Simptomat kryesore të sëmundjes janë tremor në qetësi, dridhje e duarve, kembeve, fytyrës, ose edhe kokes, shtangim ose rritje tonusit të muskujve, rigor në këmbë dhe duar,ngadalsim i lëvizjeve, bradikinezi në të gjitha aktivitetet e përditshme, ecje të ngadalsuar me hapa të vegjël, humbje të shprehjes së fytyrës, fytyra si maskë etj.
- Cilat janë shkaqet e mundshme të sëmundjes së Parkinsonit?
Sa i përket shkaqeve të Sëmundjes së Parkinsonit dallojmë formën idiopatike ose me shkaqe të panjohura ku mund të ndikojnë faktorë të ndryshëm gjenetik dhe kjo është forma kryesore e Sëmundjes së Parkinsonit. Format e tjera janë Parkinsonizmi postencfalotik, që lajmërohet pas infeksioneve të trurit; Parkinsonizmi medikamentoz i shkaktuar nga përdorimi i disa barnave; Parkinsonizmi për shkaqe të helmimit me mangan; Parkinsonizmi për shkak të helmimit me monoksid të karbonit; si dhe Parkinsonizmi aterosklerotik për shkakë të aterosklerozës së arterieve të trurit etj.
- Si diagnostikohet sëmundja e Parkinsonit?
Aktualisht, nuk ka një test specifik për të diagnostikuar sëmundjen e Parkinsonit. Diagnoza vendoset nga ana e neurologut në bazë të simptomave dhe shenjave klinike, historisë së zhvillimit të këtyre shenjave dhe simptomave, si dhe ekzaminimit fizik-neurologjik te pacientit nga ana e neurologut.
Analizat laboratorike të gjakut dhe lëngut trunoshpinor
Rezonanca magnetike e trurit realizohen për të përjashtuar shkaqet e mundëshme të sëmundjes së Parkinsonit. Testimi gjenetik realizohet për të zbuluar ndryshime gjenesh në rastet kur ka një histori familjare të njohur të sëmundjes së Parkinsonit ose nëse kemi sëmundje të Parkinsonit në moshë të re. Metodat e avancuar neuroimazherike si DAT scan dhe PET scan gjithashtu përdoren për të ndihmuar në diagnostfikim e Sëmundjes së Parkinsonit.
- Si trajtohet sëmundja e Parkinsonit?
Trajtimi i Sëmundjes së Parkinsonit bëhet me terapi medikamentoze nga ana e neurologut në bashkëpunim me pacientin në varësi nga shkalla e zhvillimit të simptomave dhe shenjave të sëmundjes. Terapia fizikale, profesionale dhe e të folurit gjithashtu kanë rëndësi në mjekimin e sëmundjes së bashku me ndryshimet e stilit të jetës si dhe shtesat ushqimore apo suplementet.
- Cilat janë sfidat psikologjike dhe sociale që përballen pacientët me sëmundjen e Parkinsonit?
Depresioni, ankthi, psikoza si dhe ndryshimet në memorie dhe funksionet tjera njohëse ose kognitive janë të shpeshta te Sëmundja e Parkinsonit. Mirëpo, niveli i këtyre simptomave është në shkallë të ndryshme te pacientët e ndryshëm dhe te pacienti i njejtë në faza të ndryshme të sëmundjes. Hulumtimet e shumta kanë treguar se gjysma e të gjithë pacientëve me Sëmundjen e Parkinsonit përjetojnë sëmundje psikiatrike në një moment, gjatë sëmundjes.
- Cilat janë ndryshimet në trurin e një personi me Parkinson krahasuar me një person të shëndetshëm?
Studimet kanë treguar se shumica e njerëzve me Sëmundjen e Parkinsonit kanë humbur 60% deri në 80% ose më shumë të qelizave nervore që prodhojnë dopaminë (substancë kimike-neurotransmiter) në substantia nigra (zona specifike të trurit) në kohën kur shfaqen simptomat. Sëmundja e Parkinsonit bënë që një zonë specifike e trurit, që quhet ganglionet bazale, të përkeqësohet dhe me këtë të humbin aftësitë për të kontrolluar lëvizjet e trupit.
- Cilat janë hulumtimet e fundit në lidhje me sëmundjen e Parkinsonit dhe trajtimet e mundshme të reja?
Trajtimet e reja janë:
Stimulimi i thellë i trurit
Disa pacientë me sëmundjen e Parkinsonit mund të përfitojnë nga stimulimi i thellë i trurit (DBS), një terapi kirurgjikale që është miratuar nga FDA për më shumë se një dekadë. DBS përfshin implantimin e një elektrode në një zonë të synuar të trurit, zakonisht bërthamën subtalamike (STN) ose globus pallidus interna (GPI). Kirurgët mund të kryejnë implantet në njërën anë ose në të dyja anët e trurit, sipas nevojës. Ato stimulojnë elektrodat duke i lidhur me një pajisje të ngjashme me stimuluesin kardiak që ndodhet nën lëkurë në gjoks.
Trajtimi MRgFUS
Trajtimi MRgFUS është një metodë trajtimi jo-invazive, jo-kirurgjikale, e sigurt dhe e avancuar, e bazuar në teknologji për dridhjen esenciale dhe sëmundjen e Parkinsonit, në të cilën dridhjet janë dominuese. Kjo teknologji përdor një kombinim të 1024 valëve të veçanta, ultratinguj me intensitet të lartë dhe Imazhe të Rezonancës Magnetike (MRI) për të synuar zona specifike përmes kokës dhe për të çaktivizuar rajonet në tru që shkaktojnë dridhjet. Këto trajtime e fundit nuk kryhen në Kosovë.