Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar organizatën “Linja e Jetës”, qendrën e vetme në Kosovë për parandalimin e vetëvrasjes, e cila operon në baza vullnetare që nga viti 2019.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla vlerësoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm të stafit dhe vullnetarëve të kësaj qendre
“Organizata Linja e Jetës, është qendra e vetme në Republikën e Kosovës për parandalimin e vetëvrasjes, e cila operon në baza vullnetare që nga viti 2019. Çdo ditë, përmes bashkëbisedimit ofrohet mbështetje emocionale dhe psikologjike për qytetarë në nevojë, një mbështetje që shpesh bën dallimin në momentet më të vështira.”
Njëkohësisht, ajo ka bërë thirrje që shëndeti mendor të trajtohet me seriozitet dhe që qytetarët të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë.
“Shëndeti mendor kërkon vëmendje, kujdes dhe qasje reale në ndihmë. Të flasësh është hap, dhe të dëgjohesh është fillim. Falënderoj Drejtorin Ekzekutiv, z. Bind Skeja, si dhe të gjithë vullnetarët e kësaj qendre për pritjen e ngrohtë e sidomos për përkushtimin, përgjegjësinë dhe humanizmin që dëshmojnë çdo ditë në shërbim të jetës.”
Në postimin e saj, ministrja ka bërë të ditur gjithashtu se qytetarët mund të kërkojnë ndihmë nga kjo organizatë përmes numrit 0800 12345, si dhe përmes chat-it online të “Linjës së Jetës”, i cili funksionon çdo ditë nga ora 18:00 deri në 22:00 në linkun: https://chat.linja-e-jetes.org/













