Die, Sht 24, 2023
Banner Top
Banner Top
DUHET PASUR KUJDES ME KRAHASIMIN E SHIFRAVE TË VDEKJEVE NGA GRIPI ME ATË TË COVID-19

Shkruar nga Dr. Blerim Myftiu – Neurolog

DUHET PASUR KUJDES ME KRAHASIMIN E SHIFRAVE TË VDEKJEVE NGA GRIPI ME ATË TË COVID-19

Javën e kaluar në JAMA Internal Medicine u botua artikulli i cili krahasonte numrin e vdekjeve nga gripi sezonal me atë nga Covid-19 në SHBA. Sipas kësaj, numri i vdekjeve nga gripi sezonal në sezonin 2019-2020 në SHBA është llogaritur të jetë ndërmjet 24 mijë dhe 62 mijë. Kurse numri i vdekjeve të raportuar në SHBA të ndërlidhur me Covid-19, deri me datën 28 prill, ka qenë 65 mijë. Në shikim të parë, i bie që vdekshmëria nga gripi sezonal dhe Covid-19 janë të ngjashme, gjë që skeptikëve të koronavirusit të ri u jep të drejtë. Por, ky vëzhgim duket të jetë sipërfaqësor dhe kur analiza zhytet në detaje, atëherë autorët dhe ekspertët vlerësojnë se krahasimi duhet bërë me shumë kujdes dhe vdekshmëria e shkaktuar nga këto dy viruse nuk duhet assesi të barazohet.

Arsyet janë disa. Arsyeja e parë dhe kryesore është se vdekjet nga Covid-19 numërohen aty për aty. Pra, kemi diagnostikim të drejtpërdrejtë dhe kur vdekja ndodh nga pasojat apo komplikimet e Covid-19, raportimi i vdekjes është i menjëhershëm. Kurse, llogaritja e vdekjeve nga gripi sezonal bazohet në algoritmet modeluese dhe shifra e reflektuar është llogaritje matematikore. Pra, vdekjet nga gripi sezonal nuk është se raportohen drejtpërdrejt, ngase shumë prej njerëzve që vuajnë nga gripi nuk u nënshtrohen testimit sikur që bëhet me SARS-CoV-2 dhe shumë njerëz (sidomos të moshës së shtyrë) vdesin javë apo muaj më vonë nga komplikimet e gripit dhe vdekjet e tilla nuk raportohen të jenë shkaktuar nga gripi. Prandaj, edhe pse modeli supozon që në një grip sezonal vdesin mesatarisht nga 23 mijë deri në 61 mijë persona, numri aktual i raportimeve është maksimalisht diç më shumë se 15 mijë.

Arsyeja tjetër është se ekziston një anshmëri ndaj vdekjeve të të moshuarve nga gripi sezonal. Duke e konsideruar se kjo është grup-mosha më e prekur nga gripi sezonal, vdekjet e tyre qofshin me apo pa grip, nuk raportohen në regjistra zyrtarë si vdekje nga gripi. Ekspertët pranojnë se në komunikimin publik, Qendra amerikane për kontrollin e sëmundjeve (CDC) raporton numër të fryrë të vdekjeve nga gripi sezonal dhe kjo bëhet me qëllim të rritjes së ndjeshmërisë së popullatës ndaj problemit dhe motivimit të saj për marrjen e vaksinës sezonale të gripit. Këtij fakti duhet shtuar edhe atë që llogaritja e stinës së gripit shkon deri në 6 muaj, kurse vdekjet nga Covid-19 janë llogaritur për një periudhë tremujore.

Dallimet në llogaritjen e vdekshmërisë, mënyra e raportimit, mostestimi në nivele të barabarta janë disa nga arsyet që të mos nxitohet, së paku tani për tani, të bëhet krahasimi i vdekshmërisë ndërmjet virusit të gripit dhe atij të Covid-19.

Youtube

Arkiva

Kategoritë