Shkruar nga Dr. Blerim Myftiu – Neurolog
Studimi i fundit shkencor kinez supozon se koronavirusi i ri (SARS-CoV-2) i cili është shndërruar në pandemi duke shkaktuar sëmundjen COVID-19, mund të mos i infektojë vetëm mushkëritë, por edhe trurin. Krahasuar me llojet e mëhershme të koronairusit dhe bazuar në modelet shtazore, shkencëtarët supozojnë se virusi mund të depërtojë përmes hundës dhe përmes mbaresave nervore të nervit olfaktor (nervit të nuhatjes) të depërtojë deri në tru, sidomos në trungun trunor dhe talamus.
Trungu trunor është pjesa e trurit e cila paraqet qendrën e koordinimit të frymëmarrjes. Në studimet me minj, antigjenët viralë janë detektuar në bërthamat e caktuara (bërthama e traktit solitar dhe bërthama ambiguus) të trungut trunor. Këto bërthama pranojnë sinjale nga mekanoreceptorët dhe kemoreceptorët e rrugëve të frymëmarrjes dhe të mushkërive, si edhe dërgojnë sinjale kthyese drejt muskujve të lëmuar të rrugëve të frymëmarrjes dhe të mushkërive.
Prandaj, kjo ndërlidhje ndërmjet qendrës respiratore dhe mushkërive supozohet se luan rolin kyç në zhvillimin e shpejtë të vështirësisë në frymëmarrje te pacientët e infektuar. Do të thotë se vetëm infeksioni i mushkërive mendohet se nuk është i mjaftueshëm për vështirësinë e frymëmarrjes, por edhe përfshirja e trungut trunor (qendrës së frymëmarrjes) mendohet se luan rol në këtë përkeqësim.
Këtë dyshim e mbështesin edhe raportet klinike të përvojave, sidomos nga Kina, ku koha prej simptomave të para deri te zhvillimi i vështirësisë respiratore është mesatarisht 5 ditë, kur për 2 ditët e tjera pacientët bëhen nevojtarë për kujdesin intensiv. Po ashtu, një numër pacientësh kanë pasur edhe shenja neurologjike, siç janë çrregullimi i vetëdijes dhe sëmundje cerebrovaskulare. / Familja Jone