Mar, Tet 8, 2024
Banner Top
Banner Top
Depresioni Postnatal (Pas Lindjes)

Çfarë është Depresioni Postnatal?
Depresioni postnatal është një sëmundje depresive e cila prek rreth 10-15% të femrave pas lindjes. Simptomat jane të njejta sikurse tek depresioni tipik. Këto simptoma përfshijnë: disponim i ulët, lodhje, pagjumësi, ndryshime të apetitit, pamundësi për të ndjerë kënaqësi për gjërat, madje as për beben, mendime negative dhe ndjenjë faji, ankth, mungesë e dëshirës sociale (nuk dëshirojnë të qëndrojnë me njerëz), ndjehen të pashpresë, kanë vështirësi të kujdesen për foshnjën dhe për veten etj. Nëna e cila po përjeton depression postnatal shpesh ndjehet fajtore për pamundësinë e kujdesit për foshnjën dhe se nuk po i gëzohet ardhjes në jetë të fëmijës së saj. Por, depresioni postnatal mund t’i ndodh secilës nënë dhe aspak nuk duhet të fajsohet nëna për gjendjen në të cilën ndodhet. 


Kur paraqitet depresioni postnatal?
Koha kur paraqitet depresioni postnatal është e ndryshme. Ai mund të shfaqet në muajin e parë apo të dytë pas lindjes, por mund të shfaqet edhe pas disa muajsh pas lindjes. Rreth një e treta e femrave të cilat kanë pasur depresion postnatal, kanë pasur simptoma të depresionit edhe gjatë shtatzanisë.

Si ndjehet një grua e cila po kalon një depression postnatal?
Ajo mund të ndjejë disa nga këto simptoma: 
Mungesë e energjisë – disponim i ulët, e palumtur dhe në vaj në shumicën e kohës. Ndjehen më keq gjatë një periudhe të ditës psh. në mëngjes apo në mbrëmje. 
Irritueshmëri – ose e zemëruar me partnerin apo foshnjën ose me fëmijët e tjerë. Por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. 
E lodhur – të gjitha nënat ndjehen bukur të lodhura gjatë rritjes së fëmijëve të tyre. Por, depresioni ju bën të ndjeheni krejtësisht e rraskapitur dhe pa energji. 
Pagjumësi – edhe pse jeni shumë të lodhura ju nuk mund të fleni. Mund të keni probleme të mëdha me gjumin, shkoni për të fjetur të shqetësuar për gjëra nga më të ndryshmet, zgjoheni disa herë gjatë natës derisa fëmija flenë apo zgjoheni herët në mëngjes para se të zgjohet fëmija. 
Ndryshimet e oreksit – mund të humbisni apetitin dhe të harroni të hani. Disa femra hanë si ngushëllim dhe më pas ndihen keq për peshën. 
Nuk mund të shijojnë asgjë – vëreni se nuk mund të shijoni gjërat si më parë apo nuk keni interesim për asgjë. Ju ndoshta nuk jeni të interesuar as për beben tuaj.
Humbja e interesit për mardhënje intime – ka disa arsye pse një grua humb interesimin për mardhënje intime pasi të bëhet nënë. Mund të ndjeni dhimbje apo të ndjeheni e lodhur. Por deresioni postnatal largon çdo dëshirë. Partneri nuk e kupton këtë dhe ai mund të ndjehet i refuzuar. 
Mendime negative dhe fajsimi i vetes – depresioni ndryshon mendimet tuaja: mund të keni mendime shumë negative dhe mund të mendoni se nuk jeni mjaftueshëm nënë e mirë apo që fëmija juaj nuk ju don. Edhe për këtë mund të ndjeheni fajtore. Por, secila nënë është mjaftueshëm nënë e mirë kur së pari ajo është mjaftueshëm e mirë për veten e saj. Kështu që fillimisht jepni kohë vetes tuaj të ndjeheni mirë. Mund të humbni besimin tek vetja dhe të mendoni se nuk mund të përballoni gjërat, por duhet të kuptoni se këto janë vetëm mendimet tuaja të ndikuara nga depresioni postnatal. 
Ankth – shumica e nënave të reja shqetësohen për shëndetin e foshnjave të tyre. Nëse keni depression postnatal ankthi mund të jetë i madh. Ju mund të shqetësoheni se fëmija juaj është shumë i sëmurë, nuk është duke shtuar peshë mjaftueshëm, ai po qanë shumë dhe ju nuk po arrini ta qetësoni. Kur fëmija është shumë i qetë keni frikë se ai nuk po merr frymë. Keni frikë se mund ta lëndoni fëmijën tuaj. Keni frikë se keni ndonjë sëmundje fizike dhe keni frikë se gjendja juaj e depresionit nuk do të kalojë kurrë. Keni frikë të jeni vetëm me fëmijën tuaj. Keni nevojë për siguri nga partneri, familjarët e tjerë apo mjeku. 
Kur ndjeheni të shqetësuar mund të keni këto simptoma: rrahje të shpeshta të zemrës, therje në krahërorë, pengesa në frymëmarrjë, djersitje, frikë se mund të përjetoni një atak kardiak. Mund të shmangni situatat si psh. dyqanet e mëdha sepse keni frikë nga sulmet e panikut. 
Largoheni nga qëndrimi me njerëz – nuk keni dëshirë të qëndroni me njerëz qoftë me familjarët apo edhe me miqtë. 
Ndjeheni të pashpresë – mund të mendoni se gjërat kurrë nuk do të përmirësohen. E mendoni jetën të pavlefshme për të jetuar. Madje mund të mendoni se edhe familja do të jetë më mirë pa ju. 
Mendime vetëvrasëse – nëse keni mendime për të lënduar veten duhet patjetër të kërkoni ndihmë. Telefononi apo kërkoni ndihmë urgjente nga ndonjë person i afërt fillimisht ose direkt tek profesionistët.
Simptoma psikotike – një numër shumë i vogël i grave më depression postnatal mund të kenë simptoma psikotike. Ato mund të dëgjojnë zëra apo të kenë besime të quditshme. Nëse vëreni ndonjë simptom të tillë kërkoni ndihmë urgjente.

Si ndikon depresioni postnatal në ndjenjat për fëmijën?
Mund të ndjeheni fajtore që ju nuk po ndjeheni e lumtur për foshnjën tuaj siç e keni menduar. Ju mund të mos e doni foshnjën tuaj apo të mos ndjeni afërsinë me foshnjën. Mund të fajësoni foshnjën për gjendjen në të cilën ndodheni. Edhe pse ju e dini se ajo është foshnja juaj dhe se ju e doni atë, por ashtu ndjeheni.

A ka rrezik se ju mund ta lëndoni fëmijën tuaj nëse po përjetoni depresion postnatal?
Rastet e lëndimit të foshnjës tek gratë me depression postnatal janë shumë të rralla. Megjithatë ato edhe mund të ndodhin për këtë duhet të jemi të kujdesshëm të kërkojmë ndihmë me kohë në mënyrë që të parandalojmë ndonjë situatë të dhunës apo ndonjë tragjedi. Zakonisht, për shkak të lodhjes dhe të stresit prindërit kanë ndjenjën se duan ta ‘’shkundin’’ apo qëllojnë fëmijën, por kështu ndihen shumë prindër edhe pa qenë me depression postnatal. Përveq se e kanë ndjenjën për këtë shumica e nënave asnjëherë nuk veprojnë ashtu. Nëse ndiheni kështu është shumë ndihmuese ti tregoni dikujt se si ndjeheni. Por nëse nuk po arrini ta kontrolloni veten atëherë duhet të kërkoni ndihmë. Nuk duhet të ndjeheni keq të tregoni për këtë. Përkundrazi me këtë tregoni se jeni në gjendje të kuptoni gjendjen tuaj jo të mirë dhe po kërkoni ndihmë për të përmirsuar gjendjen tuaj dhe për të parandaluar ndonjë akt të dhunës.

A përjetojnë të gjitha femrat depression postnatal? 
Pothuajse gjysma e nënave pas lindjes përjetonë një gjendje të quajtur ‘’baby blues’’. Kjo fillon 3-4 ditë pas lindjes. Mund të keni luhatje të disponimit, të qani lehtë, të irritoheni lehtë, të ndjeheni pa energji apo te jeni në ankth etj. kjo mund të zgjasë deri në 10 ditë. Nëse zgjatë më shumë se dy javë duhet të kërkoni ndihmë.

Çka e shkakton depresionin postnatal?
Shumica e shkaktarëve të depresionit postnatal janë ‘’shkaktarë të supozuar’’. Nuk kemi një shkaktarë të përgjithshëm por, një numër i stresorëve të ndryshëm mund ti shtohen faktorëve. Jeni të predispozuar të keni depression postnatal nëse: 
– Keni pasur problem të shëndetit mendorë më parë 
– Keni pasur depression apo ankh gjatë shtatzanisë
– Nuk keni mbështetje nga familja dhe miqtë
– Keni pasur ngjarje stresuese kohët e fundit si psh. vdekja e ndonjë të afërmi, përfundimi i lidhjes apo ndarja nga partneri, humbja e punës etj. 
Mund të kemi edhe shkaktarë organik si problemet me gjëndrën tiroide, kjo mund të trajtohet lehtë. Por, depresioni postnatal mund të fillojë edhe pa pasur asnjërin nga këta shkaktarë. Gjithashtu, prania e këtyre faktorëve nuk siguron se ju do të keni depression postnatal.

A mund të parandalohet? 
Ka diçka që mund të bëjmë edhe pse nuk garantohet por ndihmon. 
Mos provo të jesh ‘’superwoman’’. Mundohu të bëni më pak dhe të pushoni apo të mos tejlodheni. 
Shoqërohu me femra të tjera shtatëzëna apo nëna. 
Gjej dikë me të cilin mund të flasësh. 
Përcille gjendjen emocionale dhe mendore gjatë shtatzanisë .
Bëj aktivitete relaksuese edhe gjatë shtatzanisë edhe pas lindjes si frymëmarrje e thellë, meditim, joga, shëtitje në natyrë dhe ajër të pastër, etj.

Kur duhet të kërkoni ndihmë?
Nëse përgjigjeni pozitivisht në këto pyetje atëherë duhet të shqyrtoni mundësinë se sit ë kërkoni ndihmë. 
1. Gjatë muajit të fundit kam qenë e shqetësuar se po ndihem keq, po ndihem pa disponim dhe e pashpresë?
2. Kohët e fundit nuk po ndjejë kënaqësi në gjërat të cilat i kam dashur më parë, dhe nuk kam vullnet për të bërë asgjë?
3. A mendoni se keni ndonjë shqetësim për të cilin do të kishit kërkuar ndihmë?

Si trajtohet depresioni postnatal?
Pasi te keni takuar psikologun apo psikiatrin ju do të vlerësoheni për gjendjen tuaj dhe varësisht nga niveli i depresionit ju mund të trajtoheni me terapi apo psikoterapi. Per shkak se nëna parimisht duhet të ushqejë fëmijën me gji duhet të keni kujdes me përdorimin e medikamenteve. Ato duhet të merren vetëm me përshkrimin e mjekut. Kurse, trajtimi me psikoterapi është më i përshtatshëm dhe mund të zgjasë 6-12 seanca. /Familja Jone

              Antigona Qenaj 
Psikologe klinike / Psikoterapiste
Laboratori Olive

Youtube

Arkiva

Kategoritë