Die, Mar 29, 2026
Banner Top
Banner Top
Çfarë janë gurët në tëmth?

Gurët në tëmth (ose gurët e fshikëzës së tëmthit) janë depozita të ngurtësuara të lëngjeve tretëse që mund të formohen në fshikëzën e tëmthit. Fshikëza e tëmthit është një organ i vogël në formë dardhe, i vendosur në anën e djathtë të barkut, pikërisht nën mëlçi, i cili përmban një lëng tretës të quajtur lëng biliar. Lëngu biliar është i verdhë dhe përbëhet nga kolesteroli, uji, kripërat biliare, bilirubina dhe substanca të tjera.

Përmasat e gurëve të tëmthit variojnë nga ato shumë të vogla, sa një kokërr rëre, deri në madhësinë e një topi golfi. Disa njerëz zhvillojnë vetëm një gur në tëmth, ndërsa të tjerë mund të kenë shumë gurë njëkohësisht.

Simptomat

Simptomat e gurëve në tëmth shpesh quhen “atak i gurëve”, sepse ndodhin papritur. Zakonisht, një atak ndodh pas një vakti të pasur me yndyrë dhe mund të shfaqet gjatë natës.

Një atak tipik shkakton:

  • Dhimbje të papritur dhe me intensitet të lartë në pjesën e sipërme të barkut, e cila zgjat nga disa minuta deri në disa orë;
  • Dhimbje në shpinë, midis dy shpatullave;
  • Dhimbje nën shpatullën e djathtë;
  • Të përziera ose të vjella.

Shenja të tjera mund të përfshijnë: fryrje barku, intolerancë të përsëritur ndaj ushqimeve yndyrore, dhimbje në formë kolikash, gromësira, gazra dhe mostretje.

Simptomat e gurëve në tëmth mund të ngjasojnë me ato të sëmundjeve të tjera, si: ataku kardiak, apendiciti, ulçera, hernia hiatale, pankreatiti dhe hepatiti.

Shenjat që kërkojnë kujdes urgjent mjekësor përfshijnë:

  • Dhimbje barku aq intensive saqë personi nuk mund të rrijë ulur ose të gjejë një pozicion të rehatshëm;
  • Zverdhje të lëkurës dhe të bardhës së syve (verdhëzë);
  • Temperaturë të lartë me ethe.

Shumë njerëz me gurë në tëmth nuk kanë simptoma. Këta individë quhen pacientë asimptomatikë, dhe gurët e tyre njihen si “gurë të heshtur”.

Nga se shkaktohen gurët në tëmth?

Aktualisht, nuk është plotësisht e qartë pse formohen gurët në tëmth. Shkencëtarët besojnë se ato zhvillohen kur bila (lëngu biliar) përmban shumë kolesterol, shumë bilirubinë ose kur fshikëza e tëmthit nuk zbrazet plotësisht për arsye të ndryshme.

Faktorët që ndikojnë në formimin e gurëve në tëmth përfshijnë:

  • Obeziteti – është një faktor rreziku, veçanërisht tek gratë. Obeziteti mund të reduktojë sasinë e kripërave biliare në bilë, duke çuar në përqendrim më të lartë të kolesterolit. Gjithashtu, ai ndikon në uljen e aftësisë së fshikëzës së tëmthit për t’u zbrazur.
  • Estrogjeni – një nivel i lartë i estrogjenit gjatë shtatzënisë, terapisë zëvendësuese me hormone ose përdorimit të kontraceptivëve oralë rrit përqendrimin e kolesterolit në bilë dhe ul lëvizshmërinë e fshikëzës së tëmthit, duke favorizuar formimin e gurëve.
  • Etnia – nuk kemi të dhëna të sakta për popullatën shqiptare.
  • Gjinia – gratë e moshës 20 deri në 60 vjeç kanë dy herë më shumë mundësi për të zhvilluar gurë në tëmth krahasuar me burrat.
  • Mosha – personat mbi 60 vjeç kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar gurë në tëmth.
  • Mjekimet për uljen e kolesterolit – medikamentet që reduktojnë kolesterolin në gjak rrisin sasinë e kolesterolit në bilë, duke rritur rrezikun e formimit të gurëve.
  • Diabeti – njerëzit që vuajnë nga diabeti kanë nivele të larta të triglicerideve, të cilat rrisin rrezikun e formimit të gurëve në tëmth.

Si diagnostikohen gurët në tëmth?

  • Ultratingujt (ekografia) – është metoda më e zakonshme dhe më efikase për identifikimin e gurëve në fshikëzën e tëmthit.
  • CT (tomografia e kompjuterizuar) – përdoret në raste më të ndërlikuara për të vlerësuar më në detaje strukturën e organeve.
  • Cholangiopancreatografia e endoskopisë retrograde (ERCP) – kjo metodë përdoret si për diagnostikim ashtu edhe për trajtimin e gurëve që mund të bllokojnë kanalet biliare.
  • Teste laboratorike të gjakut – ndihmojnë në identifikimin e shenjave të infeksionit, bllokimit të kanaleve biliare, pankreatitit ose verdhëzës.

Trajtimi

  • Kirurgjia – trajtimi më i zakonshëm është heqja e fshikëzës së tëmthit, zakonisht përmes një procedure laparoskopike, e cila është minimisht invazive.
  • Terapia me ilaçe – në disa raste, mund të përdoren ilaçe që ndihmojnë në shpërbërjen e gurëve (p.sh., acid ursodeoksikolik), por kjo metodë është efektive vetëm për gurët e vegjël dhe nuk garanton që ata të mos riformohen.
  • Trajtimi i komplikacioneve – në rastet e infeksionit të fshikëzës së tëmthit (kolecistit), mund të nevojiten antibiotikë dhe ndonjëherë ndërhyrje kirurgjikale urgjente.

Youtube

Arkiva

Kategoritë