Fakte kryesore rreth sindromës së vezores policistike (PCOS):
- Sindroma e vezores policistike (PCOS) prek rreth 6–13% të grave në moshë riprodhuese.
- Deri në 70% e grave që e kanë këtë sindromë nuk janë të diagnostikuara.
- PCOS është shkaku më i zakonshëm i mungesës së ovulimit dhe një nga shkaqet kryesore të infertilitetit.
- Lidhet me probleme afatgjata që ndikojnë si në shëndetin fizik, ashtu edhe në mirëqenien emocionale.
- PCOS është shpesh e trashëgueshme, por manifestimi dhe ndikimi i saj ndryshon sipas grupit etnik.
Përmbledhje
PCOS është një çrregullim hormonal që prek gratë në moshë riprodhuese. Zakonisht fillon në adoleshencë, por simptomat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
Kjo gjendje shkakton çrregullime hormonale, periudha të parregullta menstruale, nivele të larta të androgjenëve (hormone mashkullore) dhe praninë e qeskave të vogla në vezore. Mungesa e ovulimit bën që shtatzënia të jetë më e vështirë, dhe për këtë arsye PCOS është një nga shkaqet kryesore të infertilitetit.
Megjithëse nuk ka një kurë përfundimtare, simptomat mund të përmirësohen përmes ndryshimeve në stilin e jetesës, medikamenteve dhe trajtimeve për fertilitetin. Shkaku i saktë nuk dihet, por gratë me histori familjare të PCOS ose me diabet tip 2 janë më të rrezikuara.
Sa është e përhapur?
PCOS është një problem i madh për shëndetin publik dhe ndër çrregullimet hormonale më të shpeshta te gratë në moshë riprodhuese. Deri në 70% e grave me këtë sindromë mbeten të paidentifikuara dhe pa trajtim.
Prevalenca është më e lartë te disa grupe etnike, të cilat shpesh përballen edhe me komplikime më të rënda, sidomos ato që lidhen me metabolizmin.
Efektet biologjike dhe psikologjike të PCOS, sidomos ato që lidhen me obezitetin, pamjen fizike dhe infertilitetin, shpesh ndikojnë në shëndetin mendor dhe sjellin ndjenja turpi apo stigmatizimi.
Simptomat
Simptomat e PCOS ndryshojnë nga personi në person dhe mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Shpesh shfaqen pa ndonjë shkak të qartë.
Simptomat më të zakonshme përfshijnë:
- Cikël menstrual të rënduar, të zgjatur, të çrregullt ose të munguar
- Vështirësi për të mbetur shtatzënë
- Akne ose lëkurë me yndyrë
- Rritje e qimeve në fytyrë ose trup
- Rënie e flokëve sipas modelit mashkullor
- Shtim në peshë, veçanërisht rreth barkut
Gratë me PCOS janë gjithashtu më të prirura të zhvillojnë probleme të tjera si:
- Diabet tipi 2
- Tension i lartë i gjakut
- Kolesterol i lartë
- Sëmundje të zemrës
- Kancer i endometrit (shtresës së brendshme të mitrës)
Gjendja mund të ndikojë edhe në shëndetin mendor, duke shkaktuar ankth, depresion dhe pasiguri për pamjen fizike. Simptoma si infertiliteti, obeziteti apo qimet e padëshiruara mund të ndikojnë në marrëdhëniet personale, punë, jetën familjare dhe pjesëmarrjen në shoqëri.
Si diagnostikohet?
Diagnoza vendoset kur një grua ka të paktën dy nga këto tri kritere:
- Shenja ose simptoma të niveleve të larta të androgjenëve (si qime të padëshiruara në trup, rënie e flokëve në kokë, akne ose nivele të larta të testosteronit në gjak), pasi janë përjashtuar shkaqe të tjera;
- Cikël menstrual i çrregullt ose mungesë e tij, pasi janë përjashtuar shkaqe të tjera;
- Vezore me pamje policistike në ekografi.
Analizat e gjakut ndihmojnë në identifikimin e ndryshimeve hormonale karakteristike, megjithatë këto ndryshime nuk janë të pranishme te të gjitha gratë. Shpesh vërehen nivele të larta të:
- Testosteronit (hormon që ndikon në rritjen e qimeve)
- Estrogjenit (hormon që ndikon në shtresën e mitrës)
- Hormonit luteinizues (LH) që ndikon në ovulim
- Insulinës (hormon që ndihmon në përthithjen e energjisë nga ushqimi)
- Hormonit anti-müllerian (i cili tregon rezervat vezoreve)
Mjekët marrin gjithashtu parasysh se ciklet e çrregullta mund të jenë normale gjatë pubertetit apo menopauzës, se PCOS shpesh është e trashëgueshme, dhe se jo gjithmonë pamja e vezoreve në ekografi është e qartë.
Trajtimi
Nuk ka trajtim që e shëron përfundimisht PCOS, por simptomat mund të menaxhohen.
Gratë me cikël të çrregullt, akne të forta ose vështirësi për të mbetur shtatzënë duhet të konsultohen me mjekun.
Disa simptoma mund të përmirësohen me ndryshime në stilin e jetesës. Ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik ndihmojnë në uljen e peshës dhe parandalimin e diabetit tip 2.
Medikamentet për kontracepsion (si pilulat) mund të ndihmojnë në rregullimin e ciklit menstrual dhe uljen e simptomave hormonale. Ka edhe ilaçe të tjera që ndihmojnë në reduktimin e akneve dhe qimeve të padëshiruara.
Për trajtimin e infertilitetit, përdoren ndryshime në stilin e jetesës, medikamente ose ndërhyrje kirurgjikale për të nxitur ovulimin. Në raste të caktuara përdoret fekondimi in-vitro (IVF), megjithëse ka disa rreziqe.
Si po reagon Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bashkëpunon me shtetet anëtare dhe partnerët për të përmirësuar shëndetin riprodhues të grave dhe për të adresuar PCOS si pjesë e kësaj nisme.
OBSH punon për:
- rritjen e ndërgjegjësimit publik rreth PCOS
- udhëzimin e profesionistëve të shëndetit për identifikimin dhe trajtimin e saj
- promovimin e kërkimeve për mënyrat më efektive të parandalimit dhe trajtimit të infertilitetit që lidhet me PCOS
- mbledhjen e të dhënave për përhapjen e infertilitetit dhe shkaqet e tij
OBSH mbështet qeveritë në integrimin e trajtimit të infertilitetit në politikat shëndetësore kombëtare dhe në ofrimin e shërbimeve pa barrë financiare për pacientët që kanë nevojë për kujdes në këtë drejtim. /World Health Organization/













