Çarçafët dhe jastëkët janë vendi ku kalojmë rreth një të tretën e ditës sonë, dhe gjithë ai kontakt krijon një mjedis perfekt për “mysafirë” të padëshiruar.
Pas një dite të gjatë, nuk ka ndjesi më të mirë sesa të futesh në një shtrat të ngrohtë, të vendosësh kokën mbi një jastëk të butë dhe të mbështillesh me një batanije të rehatshme. Por, nuk jemi vetëm ne që e gjejmë shtratin kaq të këndshëm.
Po të shohësh më thellë, mund të mbetesh i shokuar kur të mësosh se çarçafët e shtratit janë shtëpi për miliona baktere, kërpudha, marimanga pluhuri dhe viruse. Të gjitha këto krijesa “mendojnë” se shtrati yt është vendi ideal për të jetuar. I ngrohtë, me djersë, pështymë, qeliza të vdekura të lëkurës dhe madje edhe grimca ushqimi.
Merr për shembull marimangat e pluhurit. Ne hedhim rreth 500 milion qeliza të lëkurës çdo ditë; për një marimangë të vogël kjo është një “bufe e hapur” pa fund. Fatkeqësisht, këto krijesa dhe jashtëqitjet e tyre mund të shkaktojnë alergji, astmë dhe ekzemë.
Çarçafët janë gjithashtu një vend ku bakteret shumohen lehtë. Një studim i kryer në vitin 2013 nga Instituti Pasteur në Lille, Francë, analizoi çarçafët e pacientëve në spitale dhe zbuloi se ishin të mbushur me baktere të llojit Staphylococcus, të cilat zakonisht ndodhen në lëkurën e njeriut. Shumica e tyre janë të padëmshme, por disa, si S. aureus, mund të shkaktojnë infeksione në lëkurë, akne dhe madje edhe pneumoni te personat me imunitet të dobësuar.
Sipas Manal Mohammed, mikrobiologe në Universitetin e Westminster në Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse ajo nuk ishte pjesë e studimit, “njerëzit bartin baktere si pjesë e mikrobiomës së lëkurës dhe mund t’i shpërndajnë ato në sasi të mëdha”. Edhe pse zakonisht janë të padëmshme, këto baktere mund të shkaktojnë sëmundje serioze nëse hyjnë në trup përmes plagëve të hapura të cilat janë më të zakonshme në spitale.
Spitalet janë burim i mirë për studime sepse higjiena është prioritet, dhe çarçafët lahen pas çdo pacienti. Në vitin 2018, studiues nga Universiteti i Ibadanit në Nigeri zbuluan praninë e E. coli në çarçafët e palarë të spitaleve, bashkë me baktere të tjera që shkaktojnë infeksione të traktit urinar, pneumoni, diarre, meningjit dhe sepsë.
Rrobat e palara përfaqësojnë një rrezik të vërtetë infeksioni në këto ambiente. Në vitin 2022, studiuesit analizuan dhomat e pacientëve të shtruar me lisë e majmunit (sot e quajtur mpox), dhe zbuluan se gjatë ndërrimit të çarçafëve, grimcat virale përhapeshin në ajër. Në vitin 2018, një punonjës shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar besohet se u infektua pasi ndryshoi çarçafët e një pacienti me këtë virus.
Në vendet e zhvilluara, spitalet ndjekin rregulla të rrepta për të kufizuar përhapjen e infeksioneve. Sipas profesorit David Denning nga Universiteti i Manchester-it, çarçafët në spitale lahen në temperatura shumë të larta, çka vret shumicën e baktereve.
Megjithatë, ka përjashtime. Clostridium difficile, një bakter që shkakton diarre veçanërisht tek të moshuarit, është shumë i vështirë për t’u zhdukur. Larja e çarçafëve mund të eleminojë deri në gjysmën e baktereve, por sporet e tyre janë shumë rezistente. Gjithsesi, rastet e infeksioneve me C. difficile janë në rënie në Mbretërinë e Bashkuar, çka tregon se procedurat standarde të larjes, nëse zbatohen siç duhet, janë efektive.
Sigurisht, rreziku më i madh vjen nga çarçafët e spitaleve ku qëndrojnë pacientë të sëmurë. Por çfarë ndodh me jastëkët dhe çarçafët e zakonshëm në shtëpi? Në një analizë të bërë nga kompania amerikane Amerisleep në 2013, u morën mostra nga një këllëf jastëku që nuk ishte larë për një javë. Aty u gjetën rreth tre milion baktere për çdo inç katror – rreth 17,000 herë më shumë se sa një kapak tualeti.
Në një tjetër rast, në vitin 2006, Denning dhe kolegët e tij morën gjashtë jastëkë nga miq dhe familjarë, të cilët ishin në përdorim të rregullt për periudha nga 18 muaj deri në 20 vjet. Të gjithë përmbanin kërpudha, veçanërisht Aspergillus fumigatus, një lloj kërpudhe që gjendet shpesh në tokë.
Sipas Denning, “në çdo jastëk mund të gjenden miliarda ose triliona grimca kërpudhash”. Ai shpjegon se ne djersijmë gjatë natës, sidomos nga koka, dhe marimangat e pluhurit që gjenden në çdo shtrat prodhojnë jashtëqitje që shërbejnë si ushqim për kërpudhat. Në kombinim me ngrohtësinë e jastëkut, krijohet një mjedis ideal për rritjen e tyre.
Shumica prej nesh nuk i lajmë shpesh jastëkët, ndaj kërpudhat jetojnë aty për vite me radhë pa u shqetësuar. Kur i rrahim jastëkët, ato mund të çlirojnë spore në ajër. Madje, edhe larja në temperatura të zakonshme nuk i vret këto kërpudha, sepse ato mbijetojnë deri në 50°C. Për më tepër, lagështia e shtuar pas larjes mund t’i ndihmojë të shumohen më shumë.
Kjo është veçanërisht shqetësuese për njerëzit me sëmundje të frymëmarrjes si astma dhe sinusiti. Gjysma e atyre që vuajnë nga astma e rëndë janë alergjikë ndaj A. fumigatus. Te njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, ky kërpudh mund të shkaktojë infeksione serioze në mushkëri, veçanërisht tek ata që kanë pasur tuberkuloz ose dëmtim të mushkërive nga duhani.
“Nëse ke leuçemi, transplant organesh, ose je në kujdes intensiv për shkak të Covid apo gripit, ky kërpudh mund të sulmojë mushkëritë dhe të shkaktojë dëme të mëdha,” thotë Denning.
Por nëse larja e jastëkëve nuk ndihmon shumë, çfarë mund të bëjmë? Denning sugjeron që, nëse nuk vuani nga ndonjë sëmundje të mushkërive, duhet ta ndërroni jastëkun çdo dy vjet. Por për personat me astmë apo probleme respiratore, rekomandohet ndërrimi çdo tre deri në gjashtë muaj.
Për sa i përket larjes së çarçafëve, shumica e ekspertëve sugjerojnë ta bëni të paktën një herë në javë. Hekurosja pas larjes mund të ndihmojë në uljen e baktereve gjithashtu.
“Nëse nuk keni gjë tjetër për të bërë, mund të hekurosni të gjithë çarçafët, por duke qenë se trupi ynë ka gjithsesi baktere, për një person të shëndetshëm kjo nuk është shumë problem,” thotë Denning.
“Por për ata që janë të sëmurë ose me imunitet të dobët, apo nëse keni fëmijë që lagin shtratin, atëherë duhet të tregoni më shumë kujdes dhe të përdorni temperatura të larta gjatë larjes.”
Të fjeturit me kafshë shtëpiake në shtrat rrit gjithashtu numrin e baktereve dhe kërpudhave. E njëjta gjë vlen edhe për të fjeturit pa u larë, me çorape të pista apo me makijazh dhe kremra në fytyrë dhe kjo pa përmendur ata që hanë mëngjes apo “snacks” në shtrat gjatë natës.
“Nuk po them që askush nuk duhet të hajë në shtrat, por nëse e bëni, duhet t’i lani çarçafët shumë më shpesh. Ndoshta një herë në javë nuk është mjaftueshëm”, përfundon Denning. /BBC/













