Sëmundjet e zemrës janë një grup i gjerë sëmundjesh që ndodhin kur zemra ose enët e gjakut që e furnizojnë atë nuk funksionojnë siç duhet. Ato janë një nga shkaqet më të mëdha të vdekshmërisë në botë. Një gjendje e cila lidhet drejtpërdrejt me sëmundjet e zemrës është arresti kardiak.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj gjendje, Familja Jonë ka intervistuar Dr. Ilir Bajraktarin, kardiolog. Ai ka treguar më shumë rreth shkaqeve, simptomave dhe metodave bashkëkohore të trajtimit të arrestit kardiak.
Më poshtë, gjeni intervistën e plotë.
- Çfarë është arresti kardiak?
Arresti kardiak është ndalimi i papritur dhe i befasishëm i rrahjeve të zemrës. Kur zemra pushon së rrahuri, gjaku nuk mund të qarkullojë siç duhet nëpër trup, dhe si pasojë truri dhe organet e tjera mbesin pa qarkullim gjaku. Kjo çon në humbje të vetëdijes fillimisht, pasuar nga vdekja e qelizave të trurit për shkak të mungesës së oksigjenit dhe, në fund, në vdekjen e organizmit.
- Cilat janë shkaqet më të zakonshme që çojnë në arrest kardiak?
Shkaqet mund të jenë të natyrës kardiake dhe jokardiake.
Shkaqet kardiake:
Shkaqet më të shpeshta kardiake përfshijnë sëmundjen e arterieve koronare, anomalitë e arterieve koronare jo-aterosklerotike, insuficiencën e zemrës, infarktin e miokardit, defektet strukturore të zemrës dhe aritmitë e ndryshme.
Shkaqet jokardiake:
Arresti mund të shkaktohet gjithashtu nga arresti respirator, hipokalemia, diabeti, përdorimi i medikamenteve, shoku elektrik, humbja e madhe e gjakut dhe traumat.
Mekanizmi më i zakonshëm i shfaqjes së arrestit kardiak është paraqitja e një aritmie (një çrregullim i ritmit të zemrës).
- Cilat janë simptomat e arrestit kardiak dhe si mund t’i dallojmë ato nga shenja të tjera të problemeve kardiovaskulare?
Arresti është një vdekje klinike dhe shpesh ndodh pa simptoma paraprake, por në disa raste, mund t’i paraprijnë dhimbjet në gjoks, marramendja, mundimi, plogështia dhe vjellja. Një person në arrest kardiak është i pavetëdijshëm, nuk ka puls periferik dhe nuk ka frymëmarrje.
- Cilat janë faktorët e rrezikut që mund të rrisin mundësinë e një arresti kardiak?
Sa i përket faktorëve të rrezikut, duhet pasur parasysh që si preventive primare rekomandohet të kemi një dietë të shëndetshme, të evitojmë pirjen e duhanit, drogave, pijeve alkoolike, pacientët me terapi të jenë të rregullt me terapi dhe shumë i rëndësishëm është aktiviteti i rregullt fizik.
Ecja dhe stërvitjet janë një faktor shumë i rëndësishëm në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Tek parandalimi sekondar, pra tek personat që kanë pasur një herë arrest kardiak dhe kanë mbijetuar, apo ndonjë çrregullim ritmi që mund të çojë në arrest, është implantimi i ICD, një pajisje elektronike, që aktivizohet kur ka çrregullim ritmi me qëllim të rikthimit të ritmit të rregullt të zemrës.
- Cilat janë mundësitë e trajtimit për personat që kanë pësuar arrest kardiak?
Mundësitë e trajtimit për personat që kanë pësuar arrest kardiak përfshin reanimimin kardiopulmonar, masazhin e kraharorit dhe frymëmarrjen artificiale nga profesionisti shëndetësor apo nga cilido që është i trajnuar për atë.
Qëllimi është rikthimi i qarkullimit të gjakut me shtypje të shpeshta në gjoks që imiton pompimin e zemrës dhe dhënia e frymëmarrjes. Intubimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe dhënia e oksigjenit përmes aparaturës janë gjithashtu pjesë e procesit. Gjatë reanimimit përdoren edhe medikamente të ndryshme dhe goditje me elektroshok – Defibrilatori.
- Çfarë duhet të bëjë një person i pranishëm në rastin e një arresti kardiak?
Një person që has një pacient në arrest kardiak duhet të fillojë menjëherë reanimimin dhe të thërrasë ndihmën e shpejtë në çdo formë të mundshme.
Për fat të keq, mbijetesa pas reanimimit është shumë e ulët – rreth 10% jashtë spitaleve dhe deri në 25% në spitale, varësisht nga shkaku paraprijnës.
- Cilat janë këshillat për një stil jetese të shëndetshëm që mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të arrestit kardiak?
Stili i jetesës me dietë të shëndetshme, me aktivitet të rregullt fizik, evitimi i stresit psikologjik, mospirja e duhanit, evitimi i alkoolit dhe drogave të ndryshme janë faktorë që zvogëlojnë gjasat e paraqitjes së sëmundjeve të zemrës dhe, me këtë, edhe arrestit kardiak.