UNESCO, UNICEF, UNYO dhe Organizata botërore e Shëndetësisë- OBSH, kanë dalë me një thirrje të përbashkët për të kërkuar veprim për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve.
Sipas komunikatës, në gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara, gjatë dekadës së fundit është thelluar njohja e shëndetit mendor si një e drejtë themelore e njeriut. Megjithatë, pavarësisht vëmendjes globale në rritje, ende nuk ekziston një rezolutë e posaçme e OKB-së që të fokusohet drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve e të rinjve si përparësi të veçanta të zhvillimit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut. Po ashtu, mungon një narrativë e bashkuar që të adresojë plotësisht nevojat e tyre specifike zhvillimore.
“Edhe pse në dokumentet politike të OKB-së po përfshihet gjithnjë e më shumë gjuha që lidhet me shëndetin mendor, referencat që trajtojnë posaçërisht fëmijët dhe të rinjtë mbeten të kufizuara. Kjo mungesë e përqendrimit krijon qasje të fragmentuara, mungesë bashkërendimi dhe nënfinancim kronik – veçanërisht në fushën e parandalimit dhe ndërhyrjes së hershme – pavarësisht provave që tregojnë se ekzistojnë zgjidhje të qëndrueshme, me kosto të ulët dhe efikasitet të lartë.” thuhet në këtë thirrje.
Sipas komunikatës, në nivel botëror, vlerësohet se 1 në 7 adoleshentë (14.3%) të moshës 10–19 vjeç përjetojnë probleme të shëndetit mendor, por shumica mbeten të padiagnostikuar dhe pa trajtim. Të dhënat e publikuara tregojnë gjithashtu rritje shqetësuese të normave të vetëvrasjes tek të rinjtë 10–24 vjeç.
Ndërsa, sipas të dhënave të fundit të Atlasit Global të Shëndetit Mendor, vetëm 56% e vendeve kanë politika apo plane të veçanta (ose të integruara) për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, ndërsa më pak se gjysma ofrojnë shërbime komunitare, shkollore apo të tjera që mbulojnë nevojat e tyre.
“Për të përballuar në mënyrë domethënëse këtë sfidë urgjente, nevojitet veprim i koordinuar dhe ndërsektorial, që përfshin arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, klimën, teknologjinë dhe kulturën, duke u mbështetur në korniza që bazohen në të drejtat e njeriut dhe që përfshijnë aktivisht fëmijët e të rinjtë — pa lënë askënd pas, përfshirë ata që jetojnë në zona humanitare apo të brishta.” – thuhet në komunikatë.
Hendeku në politika
Megjithëse njohja e rëndësisë së shëndetit mendor po rritet në dokumentet e OKB-së, fëmijët dhe të rinjtë mbeten kryesisht të padukshëm në angazhimet globale, në sistemet e të dhënave dhe në përparësitë e financimit.
Disa nga boshllëqet që duhen mbushur për të forcuar shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve përfshijnë:
- mungesën e rezolutave të dedikuara për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve;
- mosinkorporimin e angazhimeve të përshtatura sipas moshës në kuadrin global të politikave;
- mungesën e mekanizmave pjesëmarrës që garantojnë përfshirjen aktive të të rinjve në hartimin e politikave dhe shërbimeve të shëndetit mendor;
- mungesën e monitorimit dhe llogaridhënies për angazhimet ekzistuese globale në politikëbërje dhe financim.
Thirrja e përbashkët për përparimin e politikave të shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve e publikuar nga UNESCO, UNICEF, UNYO dhe OBSH kërkon:
- Të ngrihet dhe financohet shëndeti mendor i fëmijëve dhe i të rinjve si një prioritet global i pavarur politik dhe investues, duke siguruar përfshirjen e qartë të tij në rezolutat e ardhshme të OKB-së, në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe mekanizmat globalë të monitorimit pas Agjendës 2030.
- Të krijohet një platformë e bashkuar ndëragjencish dhe partnerësh – që përfshin UNESCO-n, UNICEF-in, Zyrën e të Rinjve të OKB-së (UN Youth Office), OBSH-në dhe agjenci të tjera të rëndësishme, së bashku me Shtetet Anëtare, rrjetet e të rinjve dhe organizatat e shoqërisë civile – për të forcuar koherencën globale, për të dhënë udhëzime teknike të përbashkëta dhe për të harmonizuar financimin dhe mekanizmat e llogaridhënies në sektorë të ndryshëm që ndikojnë në shëndetin mendor të të rinjve.
- Të inkurajohen shtetet anëtare që të hartojnë dhe zbatojnë strategji kombëtare për shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, të harmonizuara me Planin e Veprimit të OBSH-së për Shëndetin Mendor, si dhe me Programin e Përbashkët UNICEF–OBSH për mirëqenien psikologjike dhe zhvillimin e fëmijëve e adoleshentëve.
Këto politika duhet të përfshijnë udhëzime të bazuara në të drejtat e njeriut dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, sipas zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), si dhe të mbështeten në Rekomandimin e UNESCO-s të vitit 2023 për Arsimin për Paqe, të Drejtat e Njeriut dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, që nënvizon rëndësinë e mjediseve të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për mirëqenien e nxënësve. - Të garantohet pjesëmarrja domethënëse e fëmijëve dhe e të rinjve në hartimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave dhe shërbimeve të shëndetit mendor – duke i konsideruar si partnerë të barabartë, jo vetëm përfitues, në përputhje me kornizat ekzistuese të përfshirjes së të rinjve në sistemin e OKB-së.
- Të investohet në parandalim, promovim dhe mbrojtje përmes një qasjeje të gjerë që përfshin të gjithë shoqërinë – duke lidhur shërbimet komunitare, shkollore dhe ato në platforma digjitale me sistemet arsimore, shëndetësore, kulturore, sportive, klimatike dhe mbrojtëse. Kjo do të thotë të arrihen të rinjtë aty ku janë dhe të krijohen mjedise mbështetëse që u mundësojnë të lulëzojnë.
- Të integrohen treguesit kryesorë të shëndetit mendor në sistemet më të gjera të monitorimit të shëndetit, arsimit dhe zhvillimit të fëmijëve dhe të rinjve – përfshirë anketat familjare (si MICS) dhe sistemet kombëtare të informacionit – për të forcuar llogaridhënien, barazinë dhe bashkërendimin ndërsektorial në ndjekjen e progresit.













