Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Për sëmundjet reumatizmale, simptomat dhe shkaktarët – tregoi, reumatologia, Arbnora Shabani Spahija

Sa here që dëgjoni fjalën “reumatizëm”, mund të mendoni për dhimbjet që lidhen me artritin. Megjithatë, sëmundjet reumatizmale janë shumë më tepër se kaq. Sëmundjet reumatizmale kanë natyrë inflamatore dhe shpesh autoimune. Kjo do të thotë që sistemi juaj imunitar gabimisht sulmon indet e shëndetshme.

Sipas një raporti të vitit 2013 nga Kolegji Amerikan i Reumatologjisë, sëmundjet reumatizmale:

*Prekin rreth 7 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, 300,000 prej të cilëve janë fëmijë

* Shpesh zhvillohen në kulmin e jetës: midis moshës madhore të hershme dhe moshës së mesme

*Prek 1 në 12 gra dhe 1 në 20 burra

Në një intervistë për familjajonë, reumatologia Arbnora Shabani Spahija, tregoi më shumë rreth sëmundjeve reumatizmale dhe shkaktarëve të kësaj sëmundje.

Sipas reumatologes Spahija, sëmundjet reumatizmale prekin të gjitha gjinitë dhe moshat, por që kjo varet edhe nga lloji i sëmundjes.

Tutje, Spahija shpjegoi edhe simptomat e kësaj sëmundje duke i theksuar dhimbjet e nyjave, ënjtje e një ose disa nyjave, shtangim i nyjave që zgjat të paktën një orë herët në mëngjes, temperaturë ose skuqje e nyjave, lëvizje e kufizuar e nyjave të prekur, lodhje kronike si simptomat më të zakonshme.

Ndërkaq, sa i përket shkaktarëve të sëmundjeve reumatizmale, reumatologjia tha se shkaqet shpeshherë janë të panjohura kjo si rezultat i një përzierjeje komplekse të gjenetikës dhe arsyeve tjera.

Intervistën e plotë me reumatologën, Arbnora Shabani Spahija mund ta gjeni më poshtë:

Cilët persona (gjini dhe moshë) i prek më shumë sëmundja e reumatizmit dhe pse?

“Sëmundjet reumatizmale prekin te dy gjinitë dhe çdo moshë, me disa dallime varësisht prej llojit te sëmundjes.  Për disa sëmundje reumatizmale, të tilla si Artriti Reumatoid dhe poli mialgjia reumatike, rreziku rritet me moshën. Disa sëmundje të tjera janë më të zakonshme midis moshës madhore të hershme dhe moshës së mesme, e këtu bëjnë pjesë: lupusi sistemik eritematoz, scleroderma, artriti psoriatik dhe spondiliti ankilozant.

Edhe gjinia është faktorë i rëndësishëm i rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve reumatizmale. Disa lloje të sëmundjeve reumatizmale priren të jenë më të zakonshme tek gratë, te tilla si: Artriti Reumatoid, lupusi sistemik eritematoz, skleroderma, sindromi Sjogren, polimialgjia reumatike.

Sëmundje të tjera reumatizmale, si Gihti dhe spondiliti ankilozant, kanë prirje të ndodhin më shpesh të meshkujt.

Arsyeja pse disa sëmundje reumatizmale prekin me shumë mosha dhe gjini te caktuara, lidhet me faktor të ndryshëm përfshire faktorët gjenetik, ekspozimin ndaj infeksionit, dhe sëmundjet e tjera ekzistuese.”, tregoi reumatologia.

Cilat janë simptomat e sëmundjeve reumatizmale?

Sëmundjet reumatizmale, duke përfshirë shumicën e formave të artritit dhe spondiloartropative, janë zakonisht të dhimbshme, kronike dhe progresive, që do të thotë se ato përkeqësohen me kalimin e kohës. Simptomat më të zakonshme te sëmundjeve reumatizmale janë: Dhimbje e nyjave, ënjtje e një ose disa nyjave, shtangim i nyjave që zgjat të paktën një orë herët në mëngjes, temperaturë ose skuqje e nyjave, lëvizje e kufizuar e nyjave të prekur, lodhje kronike.

Sëmundjet reumatizmale janë më shumë se vetëm dhimbje. Ato, në fakt, mund të ndikojnë në shumicën e pjesëve të trupit tuaj duke përfshirë organet, muskujt, kockat dhe nyjet tuaja. Këto lloj sëmundjesh madje mund të prekin lëkurën dhe sytë tuaj.

Sëmundjet reumatizmale kanë natyrë inflamatore dhe shumë prej tyre janë gjithashtu gjendje autoimune. Kjo do të thotë që sistemi juaj imunitar gabimisht mendon se indi juaj i shëndetshëm është një kërcënim dhe e sulmon atë. Kjo mund të shkaktojë dhimbje, ënjtje, dëmtim të indeve dhe komplikime të tjera.

Cilët janë shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundje ?

Megjithëse shkaqet e sakta të shumë sëmundjeve reumatizmale janë të panjohura, ka të ngjarë të jetë rezultat i një përzierjeje komplekse të gjenetikës, faktorëve mjedisorë përfshire ekspozimin ndaj infeksioneve dhe gjendja e përgjithshme e organizmit, p.sh. disa sëmundje si: Presioni i lartë i gjakut, hipotiroidizmi, diabeti, obeziteti, menopauza e hershme dhe sëmundjet e veshkave rrisin rrezikun për sëmundje metabolike te kockave.

A mund të parandalohen këto sëmundje dhe si?

Strategjitë e parandalimit të sëmundjeve reumatizmale zakonisht kategorizohen në ndërhyrje primare, sekondare ose terciare . Qëllimi i parandalimit parësor është shmangia e zhvillimit të sëmundjes duke eliminuar faktorët specifikë të rrezikut ose duke rritur rezistencën e individit ndaj gjendjes. Një shembull i këtij lloji të qasjes janë vaksinat kundër infeksioneve, ndërprerja e pirjes se duhanit që konsiderohet një faktor I rëndësishëm në zhvillimin e Artritit Reumatoid.

  Qëllimi i parandalimit dytësor është të zvogëlojë përparimin nga një fazë latente ose asimptomatike e sëmundjes në sëmundje simptomatike. Kështu, një ndërhyrje parandaluese dytësore përpiqet të ndërpresë mekanizmat e zhvillimit të sëmundjes përpara se ajo të evoluojë në një sëmundje të dukshme, kësi soji mendohet qe në fazat e hershme të Artriti Reumatoid, duket se ekziston një “dritare e mundësive terapeutike “, ku terapia e hershme anti-reumatike duket se modifikon sëmundjen përgjithmonë në disa pacientë.

Qëllimi i parandalimit terciar është të vonojë ose të kufizojë ndikimin e një sëmundjeje të krijuar. Këtu trajtohen aktualisht shumica e sëmundjeve reumatizmale, ku reumatologët zakonisht kryejnë parandalim terciar duke u përpjekur të parandalojnë përparimin e sëmundjes në pa aftësi ose vdekje të parakohshme pasi një pacient prezantohet me sëmundje klinikisht të dukshme.

Këshilla për pacientët nga ju si specialiste ?

Duke u nisur nga ajo qe sëmundjet reumatizmale janë kronike dhe progresive, që do të thotë se ato përkeqësohen me kalimin e kohës, diagnoza dhe trajtimi i hershëm mund të ngadalësojnë përparimin e shumë sëmundjeve reumatizmale duke parandaluar dëmtimet e pakthyeshme ne sistemin osteo muscular qe mund të përfundojnë me invaliditet, andaj këshilla ime si Reumatologe është që nëse keni simptoma që janë në përputhje me ndonjë sëmundje reumatike, është e rëndësishme që me kohë te konsultoni mjekun tuaj Reumatolog. Në shumë raste, një diagnozë në kohë mund të parandalojë që një sëmundje të bëhet më serioze ose të shkaktojë simptoma më të rënda.

Youtube

Arkiva

Kategoritë