Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë ditës së djeshme ka nënshkruar vendimin për kriteret e masës, që u mundëson personave me nevoja të veçanta trajnim pune me pagesë për tre deri në gjashtë muaj.
Siç bën të ditur vetë Murati, përmes një postimi në Facebook, këta persona do të mbështeten me 170 euro në muaj për aq sa zgjatë trajnimi, ndërsa organizata që ofron trajnimin me 100 euro.
Pas përfundimit, nëse iu ofrohet punë dikujt prej këtyre personave, Murati thekson se do të mbulohet paga e të punësuarit për gjashtë muaj me vlerë prej 270 euro.
Postimi i tij i plotë:
“Marrë parasysh që ky vit nga qeveria është shpallur viti i personave me aftësi të kufizuara, sot kisha kënaqësinë të nënshkruaj vendimin për kriteret e Masës 1.6.
Përmes kësaj mase do të mundësohet program i trajnimit në punë (on the job training) për personat me aftësi të kufizuara për një periudhë 3-6 muaj.
Gjatë kësaj periudhe, të trajnuarit do të mbështeten me 170 euro/muaj, ndërsa biznesi apo organizata që ofron trajnimin në punë, mbështetet me 100 euro/muaj.
Kurse pas përfundimit të periudhës trajnuese, nëse të trajnuarit i ofrohet vend pune, atëherë do të mbështesim pagën e të punësuarit edhe për 6 muaj tjerë në shumë prej 270 euro.
Vendosja e përzgjedhja e përfituesve dhe bizneseve do të bëhet në bashkëpunim me OJQ-të që verpojnë në këtë fushë. Në lidhje me këtë, MFPT do të publikojë thirrjen për aplikim për OJQ-të e interesuara”./familjajone