Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndësorë i ka dhënë ultimatum 72 orë Ministrisë së Shëndetësisë që ta rishqyrtojnë cështjen e koeficientit të pagave për këto kategori.
Një njoftim, kjo sindikatë kërkon që koeficienti të ngrihet në 7.1, për të gjithë infermieret, mamitë dhe profesionistët, rritja e pagesës së ndërrimeve të natës nga 18€ në 36€, të paguhet puna shtesë, të paguhet menjëherë rrezikshmëria në punë për infermier dhe të paguhet puna gjatë vikendeve.
Komunikata e tyre e plotë:
Sindikata e Infermierëve të Kosovës duke e vërejtur indiferencën institucionale karrshi kërkesave të komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, duke e vërejtur realitetin e rritjes së kostos së shpenzimeve jetësore, koston e shportës familjare dhe duke u bazuar në pamundësinë e komuniteteve tona që t’a përballojnë mbulimin e kësaj kostoje si pasojë e pagës tejet të ulët, pagesës ofenduese të punës së ndërrimeve të natës për komunitetet tona, pas konsultimeve me Këshillin Drejtues të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës dhe Këshillin për Protesta dhe Greva, njoftojmë komunitetet respektive që Sindikata e Infermierëve të Kosovës do zhvilloj aktivitetin sindikal të radhës GREVË NJËDITORE, veprim sindikal ky në vazhdën e masave dhe veprimeve sindikale që do vazhdoj deri në realizimin e kërkesave tona, kërkesa të cilat janë bazike, nuk kanë kosto të lartë dhe kërkesa të cilat kërkojnë bashkpunimin dhe vullnetin e institucioneve në realizimin e tyre.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bordi i SHSKUK-së që në afat prej 72 orëve t’u përgjigjen kërkesave të komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor dhe të ndërmarrin hapa konkret në realizimin e këtyre kërkesave :
Koeficienti i pagave 7.1 për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor, bazuar në tabelaren e koeficientëve e cila u publikua së fundi, respektivisht 70% e pagës së mjekut, ashtu siç ishte dhe është deri më sot,
Rritja e menjëherëshme e pagesës së ndërrimeve të natës nga 18€ në 36€,
Të paguhet menjehërë puna shtesë, respektivisht orët shtesë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor,
Të paguhet menjëherë rrezikshmëria në punë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor,
Të paguhet menjëherë puna gjatë vikendeve për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, ashtu siç u paguhet mjekëve
Pas afatit prej 72 orëve, bazuar në Ligjin për Greva Nr. 03/L-200 dhe Ligjin mbi Organizimin Sindikal në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-011, në konsultim edhe me organizatat tjera përfaqësuese të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor, duke respektuar të gjitha ligjet, duke siguruar minimumin e dhënies së shërbimeve, Sindikata e Infermierëve të Kosovës do dal me ditën dhe datën e zhvillimit të aktivitetit.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës në rast se eventualisht nuk do ketë reflektim karrshi kërkesave tona dhe do të detyrohemi të ndërmarrim masa dhe veprime sindikale, në këtë rast grevë, mirëpo një mirëqenie më e mirë sociale dhe ekonomike do të thotë edhe rritje e përgjegjësisë dhe cilësisë së shërbimeve, nga çka do përfitonim të gjithë.