Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Janari – muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të qafës së mitrës

Janari ndryshe njihet edhe si muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të qafës së mitrës.

Pas ekspozimit ndaj HPV-së, zakonisht sistemi imunitar i gruas arrin të parandalojë dëmet, që mund të shkaktojë ky virus. Por, në një grup të caktuar të grave, virusi arrin të mbijetojë ndër vite, duke kontribuar në procesin, që u shkakton disa qelizave të sipërfaqes së qafës së mitrës të kthehen në qeliza kanceroze.

Duke qenë se simptomat e hershme janë të rralla, teste të rregullta PAP janë thelbësore për zbulimin në kohë të anomalisë dhe uljen e rrezikut për zhvillimin e këtij kanceri.

Ndaj është i rëndësishëm ndërgjegjësimi mbi sëmundjen dhe mundësitë për ta parandaluar atë, njohuritë mbi faktorët e rrezikut dhe kujdesi për të komunikuar me mjekun pa neglizhuar.

Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet, ndaj specialistët vënë theksin tek depistimi dhe mbrojtja. Vaksinimi me vaksinën kundër virusit HPV dhe bërja rregullisht e PapTestit parandalojnë gati 80% të rasteve me kancer të qafës së mitrës. Vaksina është shumë efektive kur ajo aplikohet që në adoleshencë, duke reduktuar nivelet e këtij lloj tumori. Vaksina gjendet tashmë edhe në rrjetin farmaceutik shqiptar. Mosha e rekomanduar për t’u aplikuar është midis 10-26 vjeç, por të gjitha femrat mbi këtë moshë mund të vaksinohen për t’u mbrojtur. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ndërkohë rekomandon futjen e kësaj vaksine në kalendarin bazë të vaksinimit.

Rekomandimet për kryerjen e PapTestit janë të ndryshme, por disa rekomandime janë për kryerjen e tij çdo 1-3 vjet. Sipas OBSH-së, rekomandohet që të gjitha femrat e moshave nga 21-65 vjeç duhet të kryejnë PapTestin rregullisht.

Youtube

Arkiva

Kategoritë