Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Çfarë janë nyjet limfatike?

Çfarë janë nyjet limfatike?
Nyjet limfatike janë një komponent i rëndësishëm i sistemit imunitar të trupit dhe ndihmojnë në luftimin e infeksioneve. Kur nyjet limfatike fryhen, atëherë kemi të bëjmë me limfadenit. Nyjet limfatike janë struktura të vogla, të buta, të rrumbullakëta, ose ovale që gjenden në të gjithë  trupin dhe janë të
lidhura me njëra tjetrën si zinxhir (zinxhiri limfatik) në mënyrë të ngjashme me lidhjen e enëve të gjakut.

Çdo nyje limfatike është e mbështjellë nga një kapsul e përbërë prej indit lidhor. Brenda kapsulës, nyjet limfatike përmbajnë lloje të caktuara të qelizave imune. Këto qeliza janë kryesisht limfocite, të cilat prodhojnë proteina që hapin dhe luftojnë viruset, bakteret, apo edhe mikrobe të tjera.

Përveç limfociteve kemi edhe makrofagët, të cilat janë qeliza që shkatërrojnë dhe largojnë materialin e kapur nga limfocitet. Nyjet limfatike gjenden pranë enëve të gjakut brenda të cilave qarkullon limfa. Nyjet limfatike (ose gjëndrat limfatike) janë të vendosura në të gjithë trupin, por ato bëhen të dukshme vetëm kur janë të fryra. Nyjet limfatike janë regjionale (në rajone të përcaktuara) dhe secili grup i tyre korrespondon me një rajon të caktuar të trupit dhe pasqyron anomalitë e trupit në atë rajon.

Zonat e zakonshme ku nyjet limfatike zmadhohen janë ato pas veshit, në qafë, në ije, nën mjekër dhe nën sqetull. Këto janë zonat ku kontrollohet më shpesh për nyje limfatike të zmadhuara. Nyjet limfatike gjenden direkt nën lëkurë, por edhe në thellësi të trupit. Edhe nyjet limfatike më sipërfaqësore (të afërta me lëkurën) në përgjithësi nuk janë të dukshme (pra që mund të preken) përveçse kur ato janë të fryra për arsye të ndryshme. Nyjet limfatike përgjithësisht bashkohen në rajone të ndryshme të trupit, ku ato janë përgjegjëse për filtrimin e gjakut dhe kryerjen e funksionit të tyre imunologjik për atë zonë të veçantë të trupit.

Cilat janë zonat më të zakonshme të nyjeve limfatike të fryra?
Shumë njerëz mund të dallojnë fryrjen e nyjeve limfatike në qafë, prapa veshit, nën nofull, poshtë në sqetulla, apo në rrëzë të kofshëve.

Zmadhimi i nyjeve limfatike të qafës dhe poshtë nofullave
Më të zakonshme janë ato të qafës dhe poshtë nofullave. Ato mund të përfaqësojnë një infeksion rreth asaj zone, siç janë infeksionet e dhëmbëve, të grykës, infeksione virale, ose infeksione të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes. Shumica e shkaqeve të nyjeve limfatike të fryra në këtë zonë nuk janë kancerogjene, megjithatë enjtja (edema) e këtyre nyjeve limfatike mund të sugjerojë kancer në zonën e kokës dhe të qafës.

Nyjet e zmadhuara pas veshit

Nyjet e ënjtura në zonën pas veshit mund të korrespondojnë me një infeksion rreth kokës, ose të syve. Shkaku më i zakonshëm i zmadhimit të nyjeve limfatike të kokës janë problemet e lëkurës, si: zbokthi (dermatitis sebatorik), ose infeksionet e indeve të buta përreth.

Infektimi i nyjeve limfatike poshtë sqetullave
Nyjet limfatike poshtë sqetullave janë veçanërisht të rëndësishme nga pikëpamja anatomike për kancerin e gjirit. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në vendosjen (përcaktimin e shtrirjes) dhe prognozën (parashikimin e rezultatit) të kancerit të gjirit. Po ashtu, shumë limfoma dhe leukemia mund të shkaktojnë zgjerimin e këtyre nyjeve limfatike. Këto nyje mund të bëhen reaktive dhe të zgjerohen edhe për shkak të traumës, ose infeksionit të krahut në anën përkatëse.

Infektimi i nyjeve mbi klavikula
Në rastin e nyjeve që ndodhen mbi klavikula (dy kockat e vogla që i rrinë përpara dhe sipër kafazit të kraharorit) konsiderohen gjithmonë anormale. Këto zakonisht sugjerojnë një kancer, ose një infeksion në rajonin aty afër. Kështu mund të përmendim infeksionin e mushkërive, kancerin e mushkërive dhe atë të gjoksit. Rrallë edhe kanceret më të largëta lokalisht mund të shkaktojnë zmadhimin e këtyre nyjeve limfatike siç janë kanceri gjenital, ose ai i zorrës së trashë. Shkaktar mund të jetë gjithashtu edhe turbekulozi, apo sarkoidoza.

Nyjet e zmadhuara në rrëzë të kofshës
Nyjet limfatike të zmadhuara në rrëzë të kofshës mund të ndodhin në rastin e kancerit gjenital dhe të infeksioneve të ndryshme në atë zonë, siç janë për shembull infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në infektimin e këtyre nyjeve limfatike?
Duhet të theksojmë se shkaktarët më të zakonshëm të zmadhimit të nyjeve limfatike janë  infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes
qofshin virale, bakteriale, apo edhe mykotike. Kështu nga bakteret mund të përmendim streptokokun, stafilokokun, turbekulozin, sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ndër viruset përmendim mononukleozën infektive, fruthin, HIV, adenoviruset, etj. Shkaktarë mund të jenë edhe parazitët dhe mykrat. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se zmadhimi i nyjeve limfatike jo gjithmonë është shenjë e një sëmundjeje themelore. Ato mund të konsiderohen normale kur janë më to vogla se një ose dy centimetra. Në jo pak raste edhe pas ekzaminimit të hollësishëm të nyjeve limfatike nuk mund të gjendet shkaku i zmadhimit të tyre.

Cilat janë simptomat klinike?
Shumë persona me nyje limfatike të zmadhuara mund të mos kenë fare shenja klinike dhe ato mund të vihen re nga një mjek gjatë një ekzaminimi fizik të përgjithshëm. Ndonjëherë këto nyje mund të jenë tepër të buta dhe të dhimbshme. Më të rëndësishme janë shenjat e tjera klinike që shoqërojnë zmadhimin e nyjeve, si për shembull djersitja natën, humbje në peshë, dhimbje  fyti, rrjedhje të hundëve, dhimbje të dhëmbëve.

Duhet të theksoj gjithashtu se zmadhimi i nyjeve limfatike në asnjë rast nuk duhet nënvlerësuar. Së pari duhet të drejtoheni të mjeku i familjes për një ekzaminim të përgjithshëm fizik dhe ekzaminimet e para. Pastaj mund të lindë nevoja e konsultës me mjekë të specialiteteve të ndryshme.

Nyjet limfatike të fryra mund të klasifikohen në të vogla dhe të mëdha, fikse, ose të lëvizshme, të forta, ose të buta. Këto karakteristika janë të dobishme në sugjerimin e shkakut të ënjtjes së nyjeve limfatike. Për shembull një nyje limfatike e fortë dhe e paqëndrueshme mund të jetë karakteristikë e një kanceri të përhapur në atë nyje.

Nga ana tjetër, një nyje limfatike dhe e lëvizshme na orienton më tepër rreth një infeksioni rreth asaj zone. Në fund të fundit është ekzaminimi i biopsisë së nyjes së prekur që përcakton shkakun e zmadhimit të saj.

A ka ndërlikime zmadhimi i nyjeve limfatike?
Nëse zmadhimi i nyjes lidhet me infeksione që nuk trajtohen atëherë mund të kemi si pasojë absencën e nyjes (një zgavër që përmban qelb) gjë që mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale dhe antibiotikë. Në rast se nyja zmadhohet shumë, ajo mund të komprimojë (shtypë) struktura të tjera aty pranë.

Kjo mund të përbëjë problem serioz dhe të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme. Për shembull një nyje limfatike e zmadhuar poshtë sqetullës mund të ngjeshë enët e gjakut dhe nervat që furnizojnë krahun. Po ashtu, nyjet e zmadhuara të barkut mund të shtypin zorrët dhe të shkaktojnë bllokim mekanik të zorrëve.

Prandaj asnjëherë mos neglizhoni të paraqiteni së pari të mjeku i familjes për të diskutuar në lidhje me këtë problem /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë