Imami i Xhamisë në Krajkovë të Drenasit, Faruk Hoxha, e ka falur sot namazin e Fitër Bajramit me veshjen kombëtare.
Hoxha tha se qëllimi i mesazhit që ai deshti ta përcjellte ishte që feja dhe kombi janë sikur dy binjakë që nuk mund të ndahen nga njëri tjetri.
Ai theksoi se ne duhet të jemi krenar që jemi shqiptar.
“Kombi dhe feja janë dy binjakë që nuk mund të ndahet. Kushdo që bën përpjekje ti ndajë dy binjakë bëjnë krim. Mesazhi im ishte që mbi të gjitha ne jemi shqiptar. Dhe mbi të gjitha ne duhet të jemi krenar me rrënjet tona. Sikur një bimë nëse nuk ujitet dhe nuk ka kujdes për rrënjet e saj, atëherë ato prishen”, tha Hoxha, në Klan Kosova.
Imami i Xhamisë në Krajkovë shtoi se veshja kombëtare është lënë anash nga gjeneratat e reja.
Bile ai në këtë intervistë të drejtpërdrejtë tregoi se ka pasur vështirësi në sigurimin e kësaj veshje.
“Fakti se pse vendosa me u vesh me veshjen e të parëve tanë, veshjen që e përdorën edhe shumë heronj që kanë rënë për vendin tonë, është se sot e kam pasur në plan që të diskutojë obligimet ndaj atdheut tonë. Dhe përveç ligjërimit deshta që edhe në aspektin vizual të paraqes mesazh”.
“Sidomos në këtë kohë kur veshja jonë kombëtare ka filluar që të duket si diçka e harruar edhe e lënë anash dhe të rinjve të u tregoj se kjo është pjesë e jona dhe se duhet të kemi kujdes në promovimin e kësaj.Sa i përket paraqitjes time në xhami është hera e parë që paraqitem në atë formë”.
“Fakti që është bërë një temë e sotit kjo, e kam parë se është mangut qasje ndaj garderobës kombëtare. Unë kam pasur vështirësi që ti sigurojë një palë veshje të tilla. Dhe kjo më ka shqetësuar gjatë përgatitjes së temës për Bajram”.
“Kur hyra në xhami në veshjen time shihej në sytë e xhematit, një mallëngjim dhe është pritur jashtëzakonisht mirë”, tha ai.