Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Fëmijëve, që  u lexohet kanë një avantazh prej “1 milion fjalësh” nga bashkëmoshatarët e tyre.

Rezultatet e këtij  studimi do t’ju nxisin edhe më shumë dëshirën për t’u ulur dhe për të lexuar sa më shumë libra me fëmijën tuaj.
Leximi që ju bëni për fëmijët tuaj është diçka e paçmueshme për njohuritë e tyre dhe ky studim i ri e konfirmon këtë gjë. Fëmijët të cilëve u lexohen 5 libra në ditë, hyjnë në kopësht duke dëgjuar rreth 1.4 milionë fjalë më shumë sesa fëmijët të cilëve nuk u është lexuar kurrë dhe ky është një ndryshim i jashtëzakonshëm.

Sipas studimit, kryer nga “Universiteti Ohio State”, “hendeku i miliona fjalëve” është kyç në shpjegimin e diferencave në fjalor dhe të lexuar te fëmijët.  Madje edhe fëmijët të cilëve u është lexuar vetëm një libër në ditë deri në moshën 5 vjeçare, dëgjojnë rreth 290.000 fjalë më shumë se ata të cilëve nuk u lexohen rregullisht libra nga një prind ose kujdestar.

“Fëmijët të cilët dëgjojnë më shumë fjalë të do të jenë me mire të përgatitur t’i shikojnë këto fjalë në letër kur të hyjnë në shkollë”, thotë Jessica Logan, një anëtare e “Qendrës Crane për Kërkimet dhe Politikat mbi Fëmijërinë e Hershme” në shtetin e Ohajos. “Ata janë më të aftë të përvetësojnë aftësitë e leximit, dhe e bëjnë këtë më shpejt dhe më me lehtësi”.

Ideja e këtij studimi erdhi nga një studim i mëparshëm ku Logan dhe kolegët e saj zbuluan se 1 në 4 fëmijëve, nuk u ishte lexuar kurrë dhe pjesës tjetër të mbetur u lexohej rrallë – rreth një ose dy herë në javë.

Skuadra e kërkimit zgjodhi në mënyrë rastësore 30 libra nga një listë me 100 librat më të njohur për foshnja dhe librat me figura për parashkollorët. Ata përcaktuan se librat për foshnje përmbanin rreth 140 fjalë, ndërsa librat për parashkollorë kishin rreth 228 fjalë.

Duke përdorur këtë informacion ata llogaritën sa fjalë do të dëgjonte një fëmijë nga lindja deri në moshën 5 vjeçare në nivele të ndryshme leximi për çdo lloj libri, çdo seancë leximi do të përfshinte të paktën një libër. Për të realizuar një krahasim për studimin, ekipi llogariti nga një libër në muaj për fëmijët të cilëve u lexohej rrallë.

Mbështetur në  këto përllogaritje, paraqitet shumatorja e fjalëve që mund të kenë dëgjuar fëmijët deri në moshën 5 vjeçare:

  • Fëmijë të cilëve nuk u është lexuar kurrë: 4,662 fjalë
  • Fëmijë të cilëve u është lëxuar 1 ose 2 herë në javë: 63,570 fjalë
  • Fëmijë të cilëve u është lexuar 3 deri në 5 herë në javë: 169,520 fjalë
  • Fëmijë të cilëve u është lexuar përditë: 296,660 fjalë
  • Fëmijë të cilëve u janë lexuar 5 libra në ditë: 1,483,300 fjalë

“Hendeku prej më shumë se 1 milion fjalësh midis fëmijëve të rritur në një mjedis të pasur me literaturë  dhe atyre që nuk u është lexuar kurrë një libër është i habitshëm”, thotë Logan.

Është e vërtetë, prindërit janë të zënë me punë dhe oraret e shkollës mund ta bëjnë të vështirë gjetjen e kohës për t’u ulur dhe për të lexuar libra sëbashku çdo ditë, por leximi i një libri me 140 fjalë nuk merr më shumë se 5 minuta. Nëse ju keni pesë minuta kohë, leximi si pjesë e rutinës suaj të përditshme ose para gjumit është padyshim shume i vlefshëm.

Logan thotë se është e rëndësishme të theksohet se boshllëku i fjalorit i studiuar këtu është krejt i ndryshëm nga hendeku i fjalorit bisedor. “Kjo nuk ka të bëjë më komunikimin e përditshëm”, thotë ajo. “Fjalët të cilat fëmijët i dëgjojnë prej librave janë shumë më komplekse, fjalë më të vështira se ato që dëgjojnë nga komunikimi me prindërit ose pjesëtarë të tjerë në familje”.

Librat e fëmijëve përfshijnë gjithçka duke nisur nga miqtë imagjinar deri tek zanat e magjepsura e kafshët në mbarë botën. Tema të cilat nuk dalin natyrshëm nga bisedat me fëmijët tanë. “Fjalët që fëmijët dëgjojnë nga librat mund të kenë një rëndësi të veçantë për t’i mësuar të lexojnë”, thotë Logan.

Të lexuarit për fëmijët tuaj është shumë i rëndësishem. Përtej mësimit të fjalëve të reja është një mundësi për t’u lidhur me njëri-tjetrin, për të kaluar momente gazmore bashkë e për të mësuar diçka të re. Ekspozimi ndaj librave dhe fjalorit të ri është diçka që prej së cilës mund të përfitojë e gjithë familja, e më së shumti fëmijët. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë