Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Mbi 18 mijë qytetarë morën vaksinën kundër COVID-19, MSh thotë se vaksina nuk ka pasur efekte negative

Më 29 mars Kosova ka filluar vaksinimin e qytetarëve me vaksinat kundër COVID-19, ku fillimisht janë vaksinuar profesionistët shëndetësor e pastaj grup mosha mbi 80 vjeç.

Po ashtu, më 16 prill në Prishtinë dhe në të gjitha komunat tjera ka filluar vaksinimi i pacientëve të moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike, të dëshmuar me raport mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim.

Vaksinimi i qytetarëve është duke vazhduar sipas planit të paraparë nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa deri tani janë vaksinuar mbi 18 mijë qytetarë.

Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin, Ministria e Shëndetësisë, ku po ashtu deklarojnë se vaksina nuk ka pasur efekte serioze.

“Numri i te vaksinuarve në Kosove me vaksinën Astra Zeneca e ka kaluar shifrën mbi 18.000. Deri tash nuk ka pasur efekte te padëshiruara serioze të ndërlidhura me marrjen e vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kosova kishte pranuar gjatë muajit mars 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Këto dërgesa ishin të parat për Kosovën, të cilat ishin siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.

Së fundmi Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Ndërkaq edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë ditës së sotme ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për blerjen e vaksinave antiCOVID-19 nga kompania Pfizer.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë 13 mars 2020 e deri tani numri total i rasteve pozitive është 101.794 raste nga 502.159 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.086 raste të vdekjes.

Aktualisht raste aktive janë 12 mijë e 285. 

Burimi: Telegrafi

Youtube

Arkiva

Kategoritë